Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, të enjten, seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 10:00.
Në rendin e ditës janë paraparë dhjetë pika, përfshirë shqyrtimin e katër projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe një traktati me Belgjikën për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për sesionin vjeshtor 2026.
Në këtë seancë është paraparë edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në rend të ditës është edhe mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Rendi i ditës:
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
3. Pyetjet parlamentare;
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-024 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim;
5. Shqyrtimi i Projektligjit 11/L-025 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar;
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-026 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale;
7.Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-027 për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës;
8. Propozim-Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026;
9. Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike;
10. Mocion përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Burimi: Dukagjini





