Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera me rëndësi.

Në mesin e pikave të rendit të ditës janë tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë, që kanë të bëjnë me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Gjatë kësaj seance pritet të diskutohet edhe Propozim-Programi i Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.
Në rend të ditës është përfshirë edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti për katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu mocionin përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Seanca plenare do të mbahet në sallën e Kuvendit, duke filluar nga ora 10:00.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





