Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pasi analizat laboratorike kanë treguar nivel të lartë të akrilamidit në produkt.

Sipas AUV-it, ngarkesa i përkiste kompanisë BEST BT SH.P.K. nga Prizreni. Pronar i saj figuron të jetë Besim Tarashaj.
Pas raportit laboratorik, Inspektorati Fitosanitar Kufitar ka marrë vendim që ngarkesa të mos lejohet të hyjë në tregun e Kosovës dhe të kthehet mbrapa.
AUV ka bërë të ditur se masa vlen për këtë lot specifik të produktit dhe se kontrollet në kufi do të vazhdojnë për të parandaluar futjen e produkteve që nuk i plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore.
Sipas Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), ekspozimi i vazhdueshëm ndaj sasive të larta të akrilamidit konsiderohet shqetësues, pasi kjo substancë ka potencial kancerogjen. Për këtë arsye, produktet që e tejkalojnë nivelin referues nuk lejohen të futen në treg. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi




