Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar që në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt të ftohen për intervistim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Kica-Xhelili ka argumentuar se kryeministri duhet të japë llogari për zbatimin e politikave të ministrive, njësoj sikurse kryetarët e komunave mbajnë përgjegjësi për politikat e drejtorive komunale.
Ajo ka rikujtuar se kërkesën për ftesën e Kurtit e kishte bërë edhe më herët, por ka thënë se diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e fundit për përgjegjësitë në nivelin qendror e bëjnë edhe më të nevojshme thirrjen e tij.
“Sa i përket kërkesave këtu kur kërkohej përgjegjësia në nivelin lokal, insistohej që niveli lokal, kryetari i komunës është përgjegjës për politikat e drejtorive. Dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit për qeverinë, e njëjta vlen në nivelin qendror. Kryeministri i Kosovës është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive”, ka deklaruar ajo.
Sipas Kica-Xhelilit, nëse përgjegjësitë e kryetarëve të komunave po trajtohen në këtë mënyrë, atëherë duhet të kërkohet llogari edhe nga kreu i Qeverisë për politikat e ministrive përkatëse.
“E kemi bërë këtë kërkesë edhe më herët, por meqë sot duket që po thirremi në përgjegjësi ligjore të përgjegjësive të nivelit qendror, ju rikujtoj që përgjegjësitë e njëjta konsiderohen në nivel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjit për qeverinë, të cilat janë analoge të shqetësimeve që i ngritën disa nga anëtarët e komisionit sot në këtë takim. Nga kjo del që sipas mënyrës se si po trajtohen çështjet në këtë komision, duhet të ftohet edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, si përgjegjës i politikave të nivelit qendror të ministrive përkatëse”, ka thënë Kica-Xhelili.
Përveç Kurtit, deputetja e LDK-së ka kërkuar që para komisionit të dëshmojë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, për të sqaruar se si është vlerësuar nevoja për shtimin e kapaciteteve njerëzore në Qendrat për Punë Sociale (QPS) nëpër komuna.
Ajo ka thënë se gjatë diskutimeve në komision është përmendur disa herë pamundësia e komunave për të rialokuar buxhetin dhe për të rritur numrin e punonjësve në këto qendra. Për këtë arsye, sipas saj, është e nevojshme të dëgjohet edhe qëndrimi i Ministrisë së Financave lidhur me këtë çështje.
“Çështja e dytë, meqë disa herë kemi dëgjuar që për shkak të pamundësisë së rialokimit të buxhetit përbrenda komunave përkatëse, komunat nuk mund të ndërhyjnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore të QPS-ve, si rezultat na del që duhet të diskutojmë edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të kuptojmë se si ka vlerësuar ministria në fjalë domosdoshmërinë e shtimit të kapaciteteve njerëzore për QPS-të në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Pra kjo na duhet më pas edhe për pjesën e dytë të raportit”, ka deklaruar ajo.
Gjatë mbledhjes, Kica-Xhelili është ndalur edhe te mënyra e trajtimit të dëshmitarëve që ftohen para komisionit. Ajo ka kërkuar që ekspertja e angazhuar ta sqarojë paraprakisht dhe në detaje fushëveprimin dhe kompetencat ligjore të secilit person që thirret për të dëshmuar.
Deputetja ka mohuar se ndërhyrjet e saj në pyetjet e anëtarëve të komisionit kanë pasur për qëllim pengimin e diskutimit. Sipas saj, kërkesa ka qenë që dëshmitarëve t’u parashtrohen vetëm pyetje që lidhen me kompetencat e tyre ligjore dhe pozitën që mbajnë.
“Çështja e tretë ka të bëjë me atë që u keqkuptua si ndërhyrje e imja në pyetjet e anëtarëve të komisionit. Në fakt, edhe në mbledhjen e kaluar, kërkesa ime ka qenë që, në shërbim sa më efektiv, të drejtë dhe me integritet të personave që i kemi para vetes, ta dimë çfarë kompetenca ka personi që ne e kemi përballë, si mund të përfshihet në politikat që përfaqëson apo i ndërton, i drafton, në mënyrë që ta dimë deri ku mund të përfshihet personi që kemi para vetes”, ka thënë ajo.
Ajo i është drejtuar ekspertes së komisionit me kërkesën që, për secilin dëshmitar të ardhshëm, të shpjegohen qartë kompetencat që i takojnë sipas pozitës së tij.
“Prandaj kam kërkuar nga ekspertja dhe edhe një herë po mundem me e ridrejtuar kërkesën me më shumë detaje. Tani e tutje do të kemi dëshmitarë, të cilët i kanë kompetencat specifike me ligj. Të lutem shumë, tani e tutje për çdo dëshmitar që e kemi para vetes, me i njoftuar komisionin saktë çka ka të drejtë personi me bë, në nivelin e pozicionit për të cilin e kemi ftuar në komision. Me këtë nënkuptoj, nëse vjen personi A që është udhëheqës i një organizate, tregona çka ka të drejtë me bë. Në mënyrë që ne ta kuptojmë që ato që nuk janë taksativisht të numëruara nuk ka të drejtë me i bë”, ka shtuar Kica-Xhelili.
Sipas saj, mungesa e një sqarimi të tillë mund të bëjë që anëtarët e komisionit t’u kërkojnë zyrtarëve të ndërhyjnë në kompetencat e personave të tjerë, duke i shtyrë kështu drejt veprimeve të kundërligjshme.
“Sepse çka po ndodh është që ne po hyjmë në kompetencat e personave të tjerë, që nënkupton që çka po i kërkojmë zyrtarit do të ishte vepër penale. Ky ishte interferimi im. Që kërkesat që bëheshin për kompetenca nënkuptonin që zyrtari është dashur me kryer vepër penale, për me u përfshirë në çështje që janë kompetencë e zyrtarëve të tjerë. E keni parasysh”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, është deklaruar lidhur me propozimin për ftesën e kryeministrit Kurti. Ai ka thënë se arsyetimin për këtë çështje e kishte dhënë edhe në mbledhjet e mëparshme dhe se nuk dëshironte ta përsëriste.
Megjithatë, Rrahmani ka vlerësuar se nëse rasti i Arlinda Zekajt konsiderohet çështje me prioritet dhe emergjencë, atëherë kryeministri do të duhej të shprehte vetë gatishmërinë për të marrë pjesë në komision, pa pritur një ftesë nga anëtarët e tij.
“Për çështjen e kryeministrit i kam arsyetuar edhe më herët dhe nuk dua me vazhduar arsyetimin. Përveç që, në qoftë se ndjehen si çështje prioriteti, emergjence, do duhej edhe në mënyrë vullnetare ai të na kërkonte neve që të jetë këtu, e jo t’i bëjmë ne kërkesë atij”, ka deklaruar Rrahmani.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së ka mbështetur rëndësinë e thirrjes së ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e ndërlidhur këtë çështje me përvojën e tij si anëtar i Komisionit për Buxhet gjatë katër vjetëve.
Rrahmani ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe, në secilin proces të hartimit të buxhetit, ministri kishte refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat e institucioneve për punësime shtesë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
Ai ka përmendur si shembuj kërkesat për punësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, si dhe nevojat për punësime në institucionet e pushtetit ekzekutiv, gjyqësorit dhe legjislativit.
“Por te çështja e ministrit Murati duhet është shumë e rëndësishme, për shkak që unë kam qenë për katër vite anëtar i Komisionit për Buxhet. Dhe në secilin buxhet të secilit vit janë refuzuar prej ministrit thuajse të gjitha kërkesat e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë të atij qendror, qoftë të pushteteve ekzekutive, gjyqësorit, legjislativit të secilit pushtet. Domethënë ka refuzime të punësimit të prokurorëve të rinj, ka refuzime të punësimit të gjyqtarëve, ka refuzime të punësimeve në secilin nivel dhe mbi të gjitha është edhe diskutim i përgjithshëm që ka të bëjë me ndërhyrje të kompetencave dhe rrjedhimisht në pamundësi edhe të angazhimit edhe të atyre vendeve të lira të cilat i kanë brenda komunave”, ka deklaruar Rrahmani.
Burimi: Insajderi





