Mësimi në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, është ndërprerë sot për shkak të dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme gjatë natës së kaluar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës, Arben Halili, ka bërë të ditur se dëmet janë vërejtur që nga mbrëmja e së enjtes, ndërsa gjendja është konstatuar sot.
Për Klan Kosova, ai ka shpjeguar se, ndonëse kushtet për mbajtjen e mësimit kanë qenë të mira, një pjesë e kulmit ishte e varur, çka paraqiste rrezik për sigurinë e nxënësve.
Halili ka njoftuar se riparimi i kulmit pritet të përfundojë gjatë vikendit, që mësimi të rifillojë të hënën normalisht.
Raporton gazetarja e Klan Kosovës, Gremisa Latifi.





