Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e situatës me energjinë elektrike, duke thënë se vendi po përballet me mungesë të projekteve afatgjata për sigurimin e furnizimit me rrymë.

Reagimi i tij vjen pas miratimit të masave për energjinë elektrike në Kuvendin e Kosovës, në një seancë që u shoqërua edhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
Hoti ka thënë se në vend të këtyre masave, Qeveria dhe Kuvendi është dashur të orientohen drejt projekteve për ndërtimin e termocentraleve të reja, përfshirë kredi garantuese për KEK-un ose projekte përmes partneritetit.
Ai ka kritikuar gjithashtu kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend, për të cilat pretendon se po bëhen me çmime shumë më të larta sesa kostoja e prodhimit në KEK.
Deputeti i LDK-së ka përmendur edhe anulimin e projektit “Kosova e Re” dhe projektit të gazit, duke pretenduar se realizimi i tyre do ta kishte përmirësuar ndjeshëm situatën energjetike në vend.
Sipas Hotit, mungesa e investimeve në kapacitete të reja prodhuese nënkupton se Kosova do të vazhdojë të përballet me probleme të njëjta edhe për të paktën pesë vjet të tjera.
Ai ka paralajmëruar se pasojat e krizës energjetike do të vazhdojnë t’i bartin qytetarët dhe bizneset, të cilat, sipas tij, po përballen me kosto më të larta dhe humbje të konkurrueshmërisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





