Teherani konfirmoi të hënën se po zhvillon bisedime të tërthorta dhe intensive me Uashingtonin me qëllim shmangien e një raundi të ri sulmesh ushtarake amerikane, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaruan se Irani është i gatshëm të rihapë ngushticën e Hormuzit — korridorin kyç të energjisë — brenda dy ditëve, me kusht që SHBA të plotësojë kërkesat e Teheranit.

Ministri i Jashtëm Araghchi bëri me dije se Katari dhe Pakistani po luajnë një rol shumë aktiv si ndërmjetësues në këtë proces.
Paralelisht, Kina ka bërë thirrje për rikthim të menjëhershëm në tryezën e negociatave, ndërsa shefi i sigurisë kombëtare të Iranit ka diskutuar zhvillimet e konfliktit me Presidentin rus Vladimir Putin.
Teherani shprehet i gatshëm të zbatojë planin e rihapjes së ngushticës me kusht që SHBA të pranojë kërkesat e tij, të cilat përfshijnë dhënien fund të luftës në të gjitha frontet, heqjen e sankcioneve mbi naftën dhe zhbllokimin e aseteve iraniane.
Sipas zëdhënësit Baghaei, ky propozim dëshmon një “qasje me besim të mirë” nga ana e Iranit për të rivendosur sigurinë në rajon.
Sinjalet pozitive diplomatike solli një reagim të menjëhershëm në tregje. Çmimet e naftës, të cilat patën një rritje të hovshme pas bllokimit të ngushticës nga Irani, pësuan një rënie prej më shumë se 6% të hënën, për shkak të shpresave për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit 8-mujor.
Kjo kthesë diplomatike vjen në një moment kritik përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA, ku pakënaqësia e votuesve ndaj konfliktit dhe rritjes së çmimeve të karburantit po rëndon mbi republikanët e Donald Trump.
Ndërsa Zëvendëspresidenti iranian Mohammad Reza Aref i cilësoi mesazhet e SHBA-së si “pranim të fitores” së Teheranit, Presidenti Trump ruajti tonet e ashpra gjatë një tubimi elektoral, duke paralajmëruar se në një moment SHBA-ja mund të përdorë përsëri forca të ashpra ushtarake.
Burimi: RTKLive




