Tragjedia në Gjilan,27-vjeçari ishte dënuar për kanosje e kishte urdhër mbrojtës

Tragjedia në Gjilan,27-vjeçari ishte dënuar për kanosje e kishte urdhër mbrojtës

Tragjedia në Gjilan,27-vjeçari ishte dënuar për kanosje e kishte urdhër mbrojtës

Rasti i rëndë që ndodhi në Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të vdekur 27-vjeçari Adonis Demiri dhe foshnja e tij, ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Demiri kishte pasur urdhër mbrojtës emergjent, ishte dënuar për kanosje ndaj të fejuarës, por dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me gjobë.

27-vjeçari Adonis Demiri dhe foshnja e tij u gjetën të vdekur të dielën, më 1 nëntor, në fshatin Demiraj të Gjilanit. Por, para kësaj tragjedie, emri i Demirit ishte i njohur për institucionet e drejtësisë.

Sponsor 3M Express

Ai ishte dënuar për kanosjen e të fejuarës, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar edhe një urdhër mbrojtës emergjent.

Këtë e ka konfirmuar për Radiotelevizionin e Kosovës, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Sipas përgjigjes zyrtare të gjykatës, më 11 prill të këtij viti, ndaj Demirit ishte shqiptuar urdhër mbrojtës emergjent me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Dy muaj më vonë, më 17 qershor, ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të kanosjes ndaj të fejuarës dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Por, këtë dënim nuk do ta vuante në burg.

Me pëlqimin e tij dhe në bazë të dispozitave ligjore, gjykata ia kishte zëvendësuar dënimin me burgim me gjobë prej 1 mijë e 800 eurosh.

Gjykata ka bërë të ditur se Demiri kishte qëndruar për dy muaj në paraburgim në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, për shkak të dyshimeve për përdorim të kokainës dhe varësisë nga substancat narkotike.

Me rekomandim të ekspertit psikiatër, gjykata kishte shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

Në përgjigjen për RTK-në, gjykata ka sqaruar se e dëmtuara nuk i ishte bashkëngjitur ndjekjes penale dhe nuk kishte paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

 “Në bazë të neneve 18, 84, 86 të KPRK-së dhe nenit KPPRK-së mbi procedurën penale ku përfshihen kryerës me çrregullime mendore, gjykata i shqipton masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri. Lënda me ankesë gjendet në Gjykatën e Apelit. Në çështjen civile me datë 11.04.2026, gjyqtari i çështjes ka nxjerrë aktvendim për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent kundër palës përgjegjëse Adonis Demiri, në kohëzgjatje prej 12 muajsh”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.

Kjo tragjedi ka hapur sërish pyetjen se sa efektive janë masat që institucionet ndërmarrin në rastet e dhunës në familje dhe si mbikëqyret zbatimi i tyre.

Për rastin është deklaruar edhe kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastet e dhunës në familje, Burim Ramadani.

Ai ka kërkuar përgjegjësi nga secili zyrtar që me veprimet apo mosveprimet e tij mund të ketë ndikuar në dështimin e mbrojtjes së jetës.

“Ju e thatë që rasti është recidivist, që i bie që ka ndodhur edhe para themelimit të këtij institucioni dhe hyn në fushëveprimtarinë dhe kohëzgjatjen e këtij komisioni. Si kryetar nuk mund të flas, por si deputet i këtij institucioni, mendoj që secili dhe secila duhet të japë llogari për atë që ka bërë, sepse mund t’i kushtojë me jetë dikujt tjetër”. Ka thënë Ramadani.

Dështim të hallkave të sistemit të trajtimit të rastit e quan edhe Bindi Skeja- drejtori i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social. Ai thotë se nuk është vëzhguar rasti pas lindjes së fëmijës.

“Të gjitha hallkat po dalin që janë të informuara, por që po dështojnë ta mbrojnë jetën e grave dhe në këtë rast të fëmijës,.. e vetmja mënyrë do të ishte në një veting të personave që po dështojnë ta trajtojnë me seriozitet raportimet dhe jetën e grave”, ka thënë Skeja.

Ndërkohë, rrethanat e vdekjes së 27-vjeçarit dhe foshnjës së tij mbeten çështje e hetimit.

Nga Qendra për Punë Sociale në Gjilan dhe Prokuroria Themelore ende nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me masat e ndërmarra ose jo nga këto institucione.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Pse disa xhaketa kanë një kopsë në sup? Përdorimi i saj që shumë njerëz nuk e dinë

Pse disa xhaketa kanë një kopsë në sup? Përdorimi i saj që shumë njerëz nuk e dinë

Dy muaj pa Laurentin, Fitimi kthehet në BBVK dhe kujton shokun e tij (VIDEO)

Dy muaj pa Laurentin, Fitimi kthehet në BBVK dhe kujton shokun e tij (VIDEO)

Frizerët rekomandojnë këtë prerje flokësh për gratë që nuk duan të kalojnë gjysmë ore para pasqyrës

Frizerët rekomandojnë këtë prerje flokësh për gratë që nuk duan të kalojnë gjysmë ore para pasqyrës

Tragjedia në Gjilan,27-vjeçari ishte dënuar për kanosje e kishte urdhër mbrojtës | Momenti