Një alpinist 20-vjeçar nga Gjermania është shpëtuar gjatë fundjavës në Alpet austriake, pasi ishte lënë pas nga dy shoqëruesit e tij gjatë një ngjitjeje malore në kushte të vështira atmosferike.

Sipas Shërbimit Austriak të Shpëtimit Malor, i riu u gjet në lartësinë prej rreth 2.600 metrash mbi nivelin e detit, pas një operacioni shpëtimi që zgjati 14 orë, transmeton Telegrafi.
Tre alpinistët gjermanë ishin nisur të shtunën pasdite në shtegun Königsjodler, në vargmalin Hochkönig, pavarësisht parashikimeve për mot të keq dhe paralajmërimit që, sipas autoriteteve, u ishte bërë nga një alpinist tjetër.
Kur arritën në lartësinë prej rreth 2.600 metrash, njëri prej tyre nuk ishte më në gjendje të vazhdonte ngjitjen dhe rreth orës 19:00 kërkoi ndihmë përmes një telefonate emergjente. Megjithatë, dy shoqëruesit e tij vazhduan rrugën dhe po atë natë arritën te strehimorja Matrashaus, e cila ndodhej në lartësinë 2.941 metra dhe ishte tashmë e mbyllur.
Pas marrjes së alarmit, ekipi i Shërbimit të Shpëtimit Malor në Mühlbach u nis drejt alpinistit, i cili ishte në gjendje të rënduar nga lodhja.
Wolfgang Haggenmüller, përgjegjës i operacionit dhe drejtues i stacionit lokal të shpëtimit, tha se edhe ngjitja drejt vendndodhjes së 20-vjeçarit ishte sfiduese për ekipin, për shkak të kushteve të motit.
Operacioni u bë edhe më i vështirë pasi helikopteri i shpëtimit nuk mundi të ngrihej në ajër për shkak të motit të keq. Reshjet e dendura të borës gjatë natës i komplikuan më tej përpjekjet, por shpëtimtarët arritën te alpinisti pak para mesnatës.
Për zbritjen në terren, i riu u sigurua me litarë, ndërsa ekipi u përball me borë të thellë dhe rreth 20 centimetra reshje të reja, të cilat kishin mbuluar plotësisht shtegun.
“Rreziku i rrëshqitjes ishte i madh dhe orientimi në terren ishte jashtëzakonisht i vështirë. Ishte një situatë kërcënuese për jetën e të gjithëve”, thuhet në njoftimin e ekipit të shpëtimit në Mühlbach.
Për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe dukshmërisë së dobët, ekipi arriti në strehimoren Erichhütte vetëm në orën 08:18 të mëngjesit.
Gerhard Kremser, drejtues i Shërbimit të Shpëtimit Malor në distriktin Pongau, tha se 20-vjeçari me shumë gjasë nuk do ta kishte mbijetuar edhe një natë tjetër në mal, duke pasur parasysh kushtet atmosferike.
“Ky operacion tregon edhe një herë se sa shpejt vetëbesimi i tepruar, shpërfillja e paralajmërimeve dhe planifikimi i dobët i itinerarit mund të çojnë në një situatë kërcënuese për jetën. Alpinizmi nënkupton edhe të dish kur duhet të kthehesh në kohë”, deklaroi Kremser.
Ndërkohë, sipas raportimeve, policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit. /Telegrafi/




