Në një kërkesë prej 62 faqesh për vazhdimin e paraburgimit, Prokuroria Speciale përshkruan rolet e dyshuara të një grupi, rrugët e transportit, përzierjen e heroinës dhe përdorimin e automjeteve e mallrave legale për fshehje.

Prokuroria Speciale thotë se hetimi ndaj një grupi të dyshuar për trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash është zgjeruar mbi bazën e komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të dhënave të siguruara nga Franca, EUROPOL-i dhe autoritetet e tjera evropiane.
Në kërkesën e datës 27 tetor 2026 për vazhdimin e paraburgimit, Prokuroria pretendon se pjesëtarët e grupit kanë pasur role të ndara në porositjen, organizimin e transportit, pranimin, përzierjen, testimin dhe shpërndarjen e heroinës, kokainës dhe marihuanës.
Dokumenti, i cili ka 62 faqe, nuk është aktakuzë. Ai i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për të arsyetuar kërkesën që paraburgimi të vazhdojë edhe për një muaj. Prokuroria thotë se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe se po përgatiten raporte të veçanta për secilin të pandehur.
Nga Irani në Turqi, pastaj në Kosovë dhe Evropë
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, heroina dyshohet se sigurohej nga Irani dhe Turqia, dërgohej në Stamboll, ripaketohej dhe më pas transportohej drejt Kosovës dhe vendeve të tjera evropiane.
Në dokument përmenden kamionë që transportonin mallra të ligjshme, automjete të vogla dhe bunkerë të ndërtuar posaçërisht për fshehjen e narkotikëve. Në disa raste, sipas Prokurorisë, droga fshihej në reflektorë ose në pjesë të modifikuara të produkteve të tjera.
Prokuroria pretendon se në Kosovë heroina përzihej me produkte të ndryshme, përfshirë sodë bikarbonat, kafeinë dhe ujë, dhe më pas ripaketohej për t’u dërguar në tregje të tjera.
Përgjimet si pikënisje e hetimit
Hetimi, sipas dokumentit, ka nisur më 16 gusht 2024 pas pranimit të transkripteve dhe raporteve analitike nga komunikimet e Sky ECC. Prokuroria thotë se të dhënat burojnë nga operacionet ndërkombëtare “Limit” dhe “White Star”, gjatë të cilave autoritetet evropiane kishin siguruar të dhëna nga serverët e platformës.
Në kërkesë thuhet se komunikimet nuk përmbajnë vetëm mesazhe tekstuale. Ato përfshijnë edhe fotografi të substancave, fotografi të parave, fotografi të automjeteve dhe, në raste të caktuara, fotografi të personave që dyshohet se janë përdorur për konfirmimin e identitetit në grup.
Sipas Prokurorisë, këto të dhëna janë krahasuar me kalimet kufitare, ekzaminimet e telefonave, automjetet e sekuestruara dhe rastet e mëhershme të kapjes së narkotikëve.
90 lokacione dhe dhjetëra pasuri
Në dokument thuhet se janë kontrolluar 90 lokacione dhe se janë sekuestruar pajisje elektronike, telefona, dokumente, peshore, para dhe automjete.
Lista e përshkruar nga Prokuroria përfshin 34 vetura, para të gatshme, orë dhe syze të markave të njohura. Po ashtu, përmenden 638 gramë kokainë, një gram marihuanë, shtatë armë zjarri, katër karikatorë dhe 218 copë municion.
Prokuroria pretendon se një pjesë e parave nga shitja e narkotikëve është investuar në prona të luajtshme dhe të paluajtshme. Për disa pasuri janë kërkuar ose janë vendosur masa ndaluese, ndërsa për disa të tjera hetuesit ende po verifikojnë pronësinë.
Hetimi ende nuk është mbyllur
Në fund të kërkesës, Prokuroria thotë se grupi mund të jetë më i gjerë sesa është menduar fillimisht. Ajo përmend kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar me Shqipërinë, Francën, Zvicrën, Turqinë, Gjermaninë dhe Spanjën.
Kjo do të thotë se, sipas vetë Prokurorisë, dokumenti nuk paraqet ende versionin përfundimtar të akuzës. Ai paraqet bazën e pretendimeve dhe provave që organi i akuzës po përdor për të kërkuar vazhdimin e paraburgimit.
Të gjithë personat e përmendur në këtë material e gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Operacioni “Qielli i Thyer” është bërë publik për herë të parë më 3 qershor 2025, kur Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës njoftuan për arrestimin e 22 personave të dyshuar për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash. Operacioni ishte zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa sipas njoftimit të autoriteteve ishin kontrolluar 47 lokacione. Në atë fazë u raportua për sekuestrimin e narkotikëve, veturave, parave, armëve, pajisjeve elektronike dhe dokumenteve, ndërsa hetimi lidhej me komunikimet në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.
Më 24 shtator 2025, Prokuroria njoftoi për një zgjerim tjetër të operacionit, me shtatë arrestime dhe kontrolle në 25 lokacione. Sipas njoftimit të publikuar nga Insajderi, personat dyshoheshin për pjesëmarrje në grup të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për pastrim parash. Në këtë valë u raportua për sekuestrimin e më shumë se gjysmë kilogrami kokainë, 11 mijë eurove, 34 veturave, shtatë armëve dhe dokumenteve me identitete të rreme. Autoritetet thanë se operacioni ishte mbështetur nga bashkëpunimi me Belgjikën, Francën, Holandën dhe EUROPOL-in.
Në qershor 2026, Insajderi publikoi se dosja ishte zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë Mentor Imamin dhe Princ Dobroshin. Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, Imami ishte lidhur nga Prokuroria me një ngarkesë prej 83.5 kilogramësh heroinë, të sekuestruar në shkurt 2022 në Han të Elezit, në një kamion që transportonte ngrohës elektrikë nga Turqia drejt Prishtinës. Në të njëjtin raportim u tha se hetimet e Prokurorisë Speciale mbështeteshin në komunikime të koduara të Sky ECC dhe se rrjeti dyshohej për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe shpëlarje parash.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale e datës 27 tetor 2026 për vazhdimin e paraburgimit paraqet një fazë të re të këtij hetimi. Në të përmenden transkripte të Sky ECC, raporte të ekzaminimit të pajisjeve elektronike, prova financiare, pasuri, automjete, sekuestrime dhe kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Prokuroria thotë se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe se komunikimet e Sky ECC po ndërlidhen me prova të tjera.
Për këtë rast në qershor 2025 u arrestuan Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismajli, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajic.
Në shtator 2025 pastaj u arrestuan edje Arxhend/Argjent Qupevaj, Arben Qupevaj, Albin Qupevaj, Ekrem Bajrami, Visar Muriqi, Astrit Kazmi dhe Fatmir Mujaj.
Të arrestuar më herët dhe të liruar me dorëzani janë Armend Ismajli, Edin Berisha dhe Lorik Tigani – 10 mijë euro secili, sipas vendimit të raportuar më 3 shtator 2026.
Të identifikuar publikisht si nën hetime, pa arrestim të konfirmuar janë edhe Princ Dobroshi, Mentor Imami, Mërgim Demiri, Erduan Vokshi, Egemen Vokshi, Shenasi Loha, Xhevat Vuçetaj/Dzevad Prelvukaj, Ragip Ahmetaj, Nekë Përgjegjaj, Fadil Baleci, Fuad Hajdari, Agim Hoti, Mustafë Hajdini, Hajridin Habiballar, Besart Bekteshi dhe Lulzim Halimi.
Në mesin e 22 personave të arrestuar në valën e parë të operacionit ‘Qielli i Thyer’ ishte edhe Rifat Vuçetaj që është babai i gjyqtares së Albina Vuçetaj, ndërsa Xhavit Vuçetaj, vëllai i tij, u përmend në të njëjtin raportim lidhur me bastisjen në familjen Vuçetaj. Edhe Rifat Vuçetaj më vonë u lirua me dorëzani nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, derisa në këtë rast, gjyqtar i procedurës paraprake është Kushtrim Shyti.
Burimi: Insajderi




