Autoritetet franceze kanë urdhëruar tërheqjen dhe rikthimin e 15 llojeve të prezervativëve nga tregu evropian, pasi janë zbuluar defekte në procesin e prodhimit që mund të shkaktojnë çarje ose shqyerje të tyre.

Sipas autoriteteve, këto probleme mund të rrezikojnë mbrojtjen ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënive të padëshiruara.
Defektet janë konstatuar te prezervativët ultra të hollë të prodhuar nga kompania malajziane Richter Rubber Technology, ka bërë të ditur të premten Drejtoria e Përgjithshme për Politikat e Konkurrencës, Çështjet e Konsumatorëve dhe Kontrollin e Mashtrimeve (DGCCRF).
“Disa përdorues kanë raportuar çarje të prezervativëve dhe shtatzëni të padëshiruara të lidhura me mostrat e testuara”, thuhet në një urdhër ministror të autoriteteve franceze, të datës 22 tetor dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Francës më 30 tetor.
Testet laboratorike kanë zbuluar probleme që lidhen me ndryshimet në trashësinë dhe cilësinë e shtresës së lateksit të përdorur gjatë prodhimit. Sipas autoriteteve, produktet nuk i kanë kaluar testet e presionit, të vëllimit të shpërthimit dhe të mungesës së vrimave.
Gjithashtu, është konstatuar se prodhuesi nuk ka pasur kontroll të mjaftueshëm mbi procesin e prodhimit, transmeton Telegrafi.
Produktet e prekura përbëjnë rreth 7 milionë prezervativë në tregun e Bashkimit Evropian, megjithëse vetëm një pjesë e tyre është shitur në Francë, sipas Ministrisë franceze të Ekonomisë.
Qeveria franceze ka pezulluar për një vit shitjen dhe importin e të gjithë prezervativëve ultra të hollë të prodhuar nga kjo kompani përmes procesit të identifikuar si problematik. Masa mund të zgjatet nëse do të jetë e nevojshme.
Vendimi vjen pas një hetimi të nisur pas valës së parë të tërheqjeve nga tregu gjatë verës, kur në fund të majit dhe në fillim të gushtit u tërhoqën rreth 260 mijë prezervativë. Që nga tërheqjet fillestare, tetë përdorues kanë raportuar raste të çarjes së produkteve.
Tërheqja nuk kufizohet vetëm në Francë, pasi produktet e prekura janë shpërndarë në tregje të ndryshme evropiane dhe janë shitur nën disa emra të ndryshëm tregtarë.
Autoritetet franceze kanë publikuar listën e produkteve dhe serive të prekura, duke urdhëruar largimin e tyre nga pikat e shitjes, si dhe rikthimin e produkteve që mund të gjenden ende te konsumatorët.
Personave që kanë përdorur prezervativët e përfshirë në tërheqje u është këshilluar të kryejnë analiza për infeksione seksualisht të transmetueshme në laborator mjekësor dhe të bëjnë test shtatzënie nëse u vonohen menstruacionet.
Konsumatorët që kanë shqetësime të tjera këshillohen të kontaktojnë mjekun ose një qendër falas për kontrollin e shëndetit seksual.
Ndërkohë, DGCCRF u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo problem të vërejtur gjatë përdorimit, përfshirë çarjet apo vrimat në prezervativë, përmes platformës shtetërore për raportimin e incidenteve shëndetësore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të monitorojnë zbatimin dhe efektivitetin e tërheqjes së produkteve nga tregu. /Telegrafi/




