Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, mund të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi raportohet se është i pakënaqur me minutazhin që po merr në skuadrën kroate.

Sipas raportimeve, futbollisti 24-vjeçar nuk është më në planet kryesore të trajnerit Gonzalo Garcia dhe po shqyrton mundësinë e largimit për të gjetur një ambient ku do të kishte më shumë hapësira për të luajtur, shkruan Nogometne Vijesti.
Situata e Raçit te Hajduku është përkeqësuar gjatë javëve të fundit. Paraqitja e tij e fundit ishte në derbin ndaj Dinamo Zagrebit, ku skuadra e Splitit fitoi me rezultat 2-1.
Në atë takim, mbrojtësi kosovar u përfshi në një episod të pafavorshëm, pasi gabimi i tij i kushtoi Hajdukut golin e vetëm të Dinamos. Që nga ajo ndeshje, Raçi nuk ka arritur të regjistrojë asnjë minutë në pesë takimet e fundit të skuadrës.
Kjo situatë ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në Poljud, ndërsa largimi gjatë afatit kalimtar dimëror po përmendet gjithnjë e më shumë si një mundësi.
Raçi iu bashkua Hajdukut nga Prishtina në sezonin e kaluar. Sipas të dhënave të Transfermarkt, vlera e tij në tregun e transferimeve vlerësohet në rreth 440 mijë euro.
Mbetet të shihet nëse Hajduku do t’i hapë rrugë largimit të mbrojtësit kosovar në janar apo trajneri Garcia do t’i japë një mundësi të re për të rikthyer vendin në skuadër. /Telegrafi/




