Demokratët shpresojnë për fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por sa të sakta janë sondazhet?

Demokratët shpresojnë për fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por sa të sakta janë sondazhet?

Demokratët shpresojnë për fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por sa të sakta janë sondazhet?

Partia Demokratike në SHBA po hyn me pritshmëri të larta në zgjedhjet afatmesme, të cilat konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të vendit.

Sponsor 3M Express

Një president republikan me nivel të ulët të mbështetjes, pakënaqësia e qytetarëve për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe faturave, si dhe sondazhet e favorshme të muajve të fundit, u japin demokratëve arsye të shpresojnë për një rezultat të mirë në zgjedhjet e së martës.

Sipas sondazheve, kandidatët demokratë kryesojnë në shumë më tepër se 218 zonat zgjedhore që u nevojiten për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, dhomës së ulët të Kongresit amerikan. Ndërkohë, në garat kryesore për Senat, ata janë në barazim ose kanë një epërsi të lehtë.

Një sondazh i fundit i gazetës “The New York Times” e paraqiti garën për Senat në Karolinën e Jugut si të barabartë, ndonëse Donald Trump e kishte fituar këtë shtet me 18 pikë përqindjeje në vitin 2024. Ndërsa sondazhet e fundit të CNN-it tregojnë epërsi të demokratëve në Teksas, Kansas dhe Maine.

Megjithatë, mbetet pyetja se sa të besueshme janë këto parashikime, transmeton Telegrafi.

Historia e fundit politike amerikane ka treguar se sondazhet mund të gabojnë, madje edhe kur realizohen vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Trump arriti rezultate më të mira sesa parashikonin sondazhet në rrugën drejt fitoreve presidenciale të viteve 2016 dhe 2024. Edhe në vitin 2020, kur humbi ngushtë ndaj demokratit Joe Biden, shumica e sondazheve kishin parashikuar një fitore më të thellë për këtë të fundit.

Edhe gjatë këtij viti janë regjistruar raste të ngjashme. Sondazhet sugjeronin se demokrati Abdul El-Sayed do të fitonte me diferencë dyshifrore zgjedhjet paraprake të demokratëve për Senat në Michigan, por në fund epërsia e tij ishte vetëm një pikë përqindjeje. Në zgjedhjet paraprake të demokratëve për guvernator në Wisconsin, kandidati që kryesonte sondazhet me afro 20 pikë përqindjeje humbi me një diferencë shumë të vogël.

Sipas Clifford Young, president i kompanisë Ipsos Public Affairs, e cila realizon anketa politike dhe të tregut, sondazhet janë bërë më të vështira vitet e fundit. Kjo ndodh sepse amerikanët po braktisin telefonat fiks, shmangin përgjigjen ndaj thirrjeve nga numra të panjohur dhe gjithnjë e më pak janë të gatshëm të marrin pjesë në anketa.

“Konservatorët, veçanërisht ata të së djathtës ekstreme, janë shumë më kundër establishmentit. Ata nuk marrin pjesë në asgjë. E urrejnë sistemin. Kjo është sfida”, ka thënë Young.

Nëse votuesit republikanë nuk përfaqësohen sa duhet në sondazhe dhe kompanitë nuk e marrin parasysh këtë gjatë ndërtimit të modeleve të tyre parashikuese, rezultatet mund të anojnë në favor të demokratëve.

Një prej arsyeve pse parashikimet janë bërë më të vështira lidhet edhe me paparashikueshmërinë e pjesëmarrjes në votime. Një shpjegim për rezultatet më të mira të Trumpit sesa parashikohej në zgjedhjet e kaluara është se shumë prej mbështetësve të tij, të cilët nuk votonin rregullisht, dolën në numër më të madh se sa pritej.

Megjithatë, vitet e fundit sondazhet për zgjedhjet e përgjithshme afatmesme kanë rezultuar më të sakta. Një prej arsyeve është se Trumpi, i cili ka aftësi të mobilizojë votuesit e pakënaqur, nuk ka qenë kandidat në këto zgjedhje.

Në vitin 2022, sondazhet sugjeronin se demokratët mund t’u shmangeshin pritshmërive tradicionale për një humbje të thellë, pavarësisht nivelit të ulët të mbështetjes për presidentin e atëhershëm, Joe Biden. Partia humbi kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por me një diferencë të vogël, ndërsa arriti të ruante shumicën në Senat.

Young thekson se rezultatet e zgjedhjeve paraprake të këtij viti nuk duhet të interpretohen domosdoshmërisht si tregues se sondazhet për zgjedhjet e përgjithshme janë të pasakta. Sipas tij, zgjedhjet paraprake kanë qenë historikisht më të paparashikueshme, pasi votuesit shpesh vendosin për kandidatin e tyre në momentet e fundit.

Tradicionalisht, partia e presidentit në detyrë përballet me rezultate të dobëta në zgjedhjet afatmesme. Një prej shembujve më të spikatur ishte viti 2010, kur republikanët fituan më shumë se 60 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe shënuan përparim edhe në Senat.

Në atë kohë, ekonomia amerikane po përpiqej të rimëkëmbej nga kriza financiare, ndërsa konservatorët kundërshtonin reformat shëndetësore të presidentit Barack Obama. Sondazhet kishin parashikuar humbje për demokratët, por jo në përmasat që u regjistruan.

Këtë herë situata është e kundërt: demokratët janë në opozitë dhe ekonomia mbetet një prej shqetësimeve kryesore të votuesve. Megjithatë, ekzistojnë disa faktorë që mund t’i pengojnë ata të arrijnë një rezultat aq të mirë sa sugjerojnë sondazhet.

Së pari, shumë prej zonave ku zhvillohet gara këtë vit janë territore që Trumpi i fitoi me lehtësi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, çka u jep republikanëve një avantazh fillestar.

Së dyti, ndryshimet e bëra ndër vite në kufijtë e zonave zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë që më pak vende të kalojnë nga njëra parti te tjetra.

Një faktor tjetër është polarizimi gjithnjë e më i thellë i shoqërisë amerikane, që ka zvogëluar numrin e votuesve të pavendosur ose atyre që ndryshojnë lehtësisht përkatësinë politike. Disa ekspertë e përshkruajnë këtë elektorat si gjithnjë e më të ngurtësuar në bindjet e tij.

Republikanët kanë përfituar gjithashtu nga një epërsi financiare, duke pasur në dispozicion qindra miliona dollarë për reklama negative kundër kandidatëve demokratë gjatë javëve të fundit të fushatës.

Sondazhet përpiqen t’i marrin parasysh këto ndryshime, ndërsa anketat e mirëpërgatitura ndërtohen në mënyrë që të përfshijnë faktorët që mund të ndikojnë në saktësinë e tyre.

Çdo sondazh ka një marzh të gabimit, pra një nivel të caktuar pasigurie statistikore që lidhet me madhësinë e mostrës së anketuar në raport me popullsinë. Për këtë arsye, mesataret e disa sondazheve konsiderohen zakonisht më të besueshme sesa rezultatet e një ankete të vetme.

Aktualisht, edhe nëse sondazhet gabojnë me disa pikë përqindjeje, siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit presidenciale, ato përsëri sugjerojnë se demokratët mund të shënojnë rezultat të mirë më 3 nëntor.

Gabimet e sondazheve mund të ndodhin në të dyja drejtimet. Në zgjedhjet lokale dhe ato të posaçme të vitit të kaluar, demokratët dolën më mirë sesa parashikonin shumica e anketave, pasi votuesit e tyre morën pjesë në numër më të madh se sa pritej.

Edhe tubimet e Trumpit në ditët e fundit të fushatës, në shtete që ai i kishte fituar me lehtësi në vitin 2024, mund t’u kenë dhënë demokratëve më shumë shpresë se republikanët po përballen me vështirësi.

Megjithatë, votuesit mund të ndryshojnë mendje deri në ditën e zgjedhjeve. Në disa raste, ndryshimet e minutës së fundit mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin e garës, ndërsa votuesit e pavendosur mund të orientohen në masë drejt të njëjtit kandidat.

Në fund, pasiguria është pjesë e pandashme e sondazheve. Sipas Young, kompanitë e anketimit po përmirësojnë metodat e tyre, por sfida mbetet e madhe, pasi sjellja e njerëzve nuk është gjithmonë e lehtë për t’u parashikuar.

“Besoj se po bëjmë një punë më të mirë. Por një pjesë e problemit nuk qëndron vetëm te kompanitë e sondazheve. Kemi të bëjmë me njerëzit, dhe njerëzit nuk janë të lehtë për t’u kuptuar”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Lexo edhe

Haxhiu: Strategjia për Specialen, mbështetje për ekipet mbrojtëse, jo pengesë

Haxhiu: Strategjia për Specialen, mbështetje për ekipet mbrojtëse, jo pengesë

Grupe të vogla protestuesish para Kryeministrisë në Tiranë

Grupe të vogla protestuesish para Kryeministrisë në Tiranë

Rama: Rrezikojmë t’i humbim Lojërat Mesdhetare 2030, Qeveria nuk po i përmbush obligimet

Rama: Rrezikojmë t’i humbim Lojërat Mesdhetare 2030, Qeveria nuk po i përmbush obligimet

Demokratët shpresojnë për fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por sa të sakta janë sondazhet? | Momenti