Një mërgimtar nga Ferizaj, i cili jeton në Suedi, është përballur me një situatë të rëndë kur është kthyer në shtëpinë e tij në Kosovë. Hajnat kishin depërtuar me forcë në banesë dhe kishin marrë katër armë që ai deklaron se i posedonte me leje, duke shkaktuar dëm prej rreth 10 mijë eurosh, mëson Gazeta Sinjali.

Vjedhja është zbuluar të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 12:40, në rrugën “Hamit Tmava” në Ferizaj, kur 48-vjeçari është kthyer në shtëpinë ku jetojnë edhe vëllezërit e tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është M. U., rreth 48-vjeçar, i cili ka konstatuar se persona ende të panjohur kishin hyrë përmes një dritareje në objektin gjashtëkatësh dhe më pas kishin thyer derën e katit ku banon ai.
Nga aty janë vjedhur katër armë, tri armë gjahu dhe një pistoletë Beretta e kalibrit 9 mm, për të cilat pronari ka deklaruar se posedon leje të vlefshme.
Vlera e armëve të vjedhura, sipas viktimës, arrin në rreth 8 mijë euro, ndërsa dëmi nga thyerja e derës vlerësohet në 2 mijë euro të tjera.
Pas denoncimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe ekspertët e forenzikës, të cilët kanë ekzaminuar hapësirat e shtëpisë dhe kanë nisur mbledhjen e provave.
Me urdhër të Prokurorisë është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa personat që dyshohen se kanë kryer vjedhjen ende nuk janë identifikuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





