Filmi “Sakrifica” u shfaq premierë në Cineplexx, një produksion i realizuar nga dy aktorët e njohur, Halil Budakova dhe Merita Budakova.

Filmi, me skenar nga Merita Budakova, trajton një histori nga lufta e Kosovës, përkatësisht sakrificën e një familjeje shqiptare gjatë luftës së vitit 1999.
“Ne me të vërtetë kemi sakrifikuar shumë për me e sjellë këtë film për publikun. Mendoj që ia ka vlejtë për me pru një histori, me pa gjeneratat se çka ka ndodhë në të vërtetë në luftën e Kosovës. Në këtë flitet për sakrificën e një familje të tërë, ngjarja bazohet në ngjarje të vërteta, jo me të përcaktume”.
Foto: Merita Budakova / Telegrafi.com
“Mendoj që duhet, me sjellë sa më shumë filma të luftës, por me tregu historinë e Kosovës”.
Aktorja dhe njëherësh regjisorja e filmit ka deklaruar se nuk kanë pasur asnjëherë përkrahje institucionale nga shteti.
“Ne nuk kemi pasë asnjëherë përkrahje nga shteti. Përkrahja është vetëm e dashamirëve, e miqve tanë, mirëpo përkrahje institucionale, nuk kemi pasë asnjëherë”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, aktori i njohur Halil Budakova, i cili po ashtu është regjisor, në film interpreton rolin e një ushtari të UÇK-së. Në një prononcim për Telegrafin, ai ka thënë se bëhet fjalë për një rol të vështirë dhe me përgjegjësi të madhe.
“Është film që është punu që një vit, është film me temë, histori, për historinë e Kosovës, është film me temë kombëtare. Është një film që e kemi punu me shumë kënaqësi, një ekip shumë i madh i mrekullueshëm, ku kemi patur brenda ekipit dhe aktorë ndërkombëtarë edhe besoj që ia kemi dalë”, ka deklaruar aktori.
Foto: Halil Budakova / Telegrafi.com
“Normalisht nuk është rol i lehtë, se është rol me përgjegjësi, është rol kur e luan ushtarin e UÇK-së, duhet me pas pak edhe ndjenja, po nuk e kemi patur aq të vështirë, sepse ne jemi shqiptarë, e kemi në sens e kemi në gjak”.
“Së pari shohim kinematografi, shohim një film të madh, me shumë aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Është një film që është i punuar në mënyrë profesionale”.
Budakova ka bërë të ditur se buxheti për realizimin e filmit ka qenë mbi një milion euro.
“Është mbi një milion buxheti, por për një film të tillë duhet me pasë ndoshta mbi katër-pesë milionë për me ba një film të tillë. Po tu iu falënderu edhe institucioneve përkatëse tona, domethënë prej Policisë së Kosovës e njerëzve në përgjithësi që kanë ardhë dhe kanë dhënë një kontribut në një formë apo në një formë tjetër, na ia kemi dalë”, ka deklaruar ai.
Në filmin “Sakrifica”, djali i dy aktorëve, Oltion Budakova, interpreton njërin nga rolet kryesore, atë të vëllait më të vogël të personazhit kryesor, të cilin e luan aktori Halil Budakova.
Foto: Oltion Budakova / Telegrafi.com
Personazhi që ai interpreton është një djalë që kthehet nga mërgimi për të luftuar në Kosovë.
“Sfida më e madhe është… Ma së pari është histori prekëse. Në momentin e parë e dimë që është lufta e Kosovës. Është histori prekëse për të gjithë, duhet me dhanë maksimumin dhe është shumë shumë rrezik, duhet me qëndru në vijën e njëtrajtshme të karakterit edhe me ba maksimumin, sepse i simbolizon edhe ushtarët e UÇK-së edhe gjithë ata që kanë ka luftu për vendin”, ka deklaruar Oltion Budakova.
“Është dashtë disa muaj me u përgatit për rolin, se edhe kam pasë të bëj me aktorë që kanë eksperiencë shumë më shumë se unë, edhe normalisht që nuk është e lehtë, por kemi pasë të gjithënjë bashkëpunim shumë të mirë mes veti”. /Telegrafi/





