Një Audi dhe dy Citroën të marra me qira, rreth 4 mijë euro borxh të papaguar dhe dyshimet se të tria veturat janë shitur pa qenë në pronësi të personit që i kishte marrë. Ky është rasti i mashtrimit të dyshuar në Lipjan, që ka përfunduar me arrestimin e një 34-vjeçari, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Burhan Krasniqi, rreth 34-vjeçar.
Sipas informacioneve të siguruara, Krasniqi dyshohet se kishte marrë me qira tri automjete, një Audi dhe dy Citroën, për të cilat nuk kishte kryer pagesat e dakorduara.
Borxhi i krijuar, sipas denoncimit, arrin në rreth 4 mijë euro.
Por ankesa ndaj tij nuk lidhet vetëm me mospagesën e qirasë. Ankuesi ka deklaruar në Polici se i dyshuari i kishte shitur të tria veturat, ndonëse ato nuk ishin në pronësi të tij.
Në dokumentacionin e rastit përmendet edhe një kontratë e noterizuar e datës 19 qershor 2026, që lidhet me automjetin Audi.
Rasti ishte denoncuar më 12 nëntor, ndërsa më 17 nëntor, pas veprimeve hetimore, Policia ka intervistuar të dyshuarin.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj” dhe “Mashtrimi”.
Me urdhër të Prokurorit, Burhan Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Nga informacionet e deritanishme nuk dihet nëse automjetet janë gjetur apo kthyer te pronari.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





