Një 37-vjeçar, i cili ndodhej në kërkim policor për disa vepra penale, përfshirë vrasjen e rëndë në tentativë, është arrestuar në shtëpinë e tij në fshatin Mazgit të Obiliqit. Për kapjen e tij janë angazhuar disa njësi policore, ndërsa gjatë ndërhyrjes i dyshuari ka bërë rezistencë aktive ndaj zyrtarëve, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Operacioni është zhvilluar të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 11:30, pasi Policia kishte siguruar informacione se personi i kërkuar ndodhej në shtëpinë e tij, në rrugën “Dita e Flamurit”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Megzon Sefedini rreth 37-vjeçar, i cili ishte në kërkim për tri vepra të ndryshme penale.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar dy urdhërarreste për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Pasi kanë marrë informacionin për vendndodhjen e tij, disa njësi të Stacionit Policor në Obiliq janë nisur drejt shtëpisë së 37-vjeçarit, duke ndërmarrë veprime për arrestimin e tij.
Sipas informacioneve të Sinjalit, i dyshuari është gjetur brenda shtëpisë, por nuk ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë dhe ka bërë rezistencë aktive gjatë arrestimit.
Megjithatë, policët kanë arritur ta vënë nën kontroll dhe ta arrestojnë.
Pas arrestimit, Sefedini është shoqëruar në Stacionin Policor të Obiliqit, ku është kontaktuar gjyqtari përgjegjës për lëndën.
Me urdhër të gjykatës, 37-vjeçari është dërguar në mbajtje për ekzekutimin e urdhërarrestit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





