Një 23-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, nën dyshimin se kishte ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe kishte keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj për të kryer blerje online. Aktiviteti i dyshuar është zbuluar pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i arrestuari është Burak Yilmaz rreth 23-vjeçar, i cili është ndaluar të mërkurën, më 11 nëntor, në kuadër të një operacioni policor në rajonin e Prishtinës.
Hetuesit e krimeve kibernetike dyshojnë se i riu kishte siguruar qasje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe kishte shfrytëzuar të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për të realizuar blerje të ndryshme përmes internetit, me qëllim përfitimin material.
Pas identifikimit të të dyshuarit, Policia ka realizuar kontroll në një lokacion në rajonin e Prishtinës, ku janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike që dyshohet se mund të lidhen me aktivitetin e hetuar.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy pajisje USB, si dhe dokumente të tjera që mund të shërbejnë si prova materiale.
23-vjeçari është shoqëruar për intervistim dhe, pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorisë është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike” dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës ose kreditit”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





