Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se është ende herët për të shfaqur entuziazëm lidhur me zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe ndikimin që ato mund të kenë në procesin e integrimit evropian të rajonit.

Gjatë një bashkëbisedimi në Dublin me ekspertë të çështjeve evropiane dhe të Ballkanit, si dhe diplomatë, të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), me temën “Udhëtimi Evropian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama foli për zhvillimet politike në Serbi dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Ai tha se Komisioni Evropian ka pasur probleme në raport me administratën e mëparshme serbe, veçanërisht sa u përket çështjeve të sundimit të ligjit dhe përmbushjes së kërkesave thelbësore të Bashkimit Evropian.
“Është shumë herët për të thënë diçka më saktësi për atë që vjen më pas”, u shpreh Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare i cilësoi zhvillimet politike në Serbi si një eksperiment social dhe politik, duke iu referuar të ashtuquajturës Listë Studentore dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve që pritet të jenë pjesë e parlamentit apo qeverisë.
“Serbia po kalon nëpër një eksperiment social dhe politik, në të ashtuquajturën Listë Studentore, me këtë metodën e përzgjedhjes dhe të zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament apo në qeveri. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime”, deklaroi ai.
Duke folur për ndikimin e këtyre zhvillimeve në marrëdhëniet rajonale, Rama theksoi se, nga këndvështrimi i Shqipërisë, ende nuk ka shenja të një hapjeje të qartë të Beogradit ndaj çështjeve thelbësore për stabilitetin dhe integrimin e rajonit.
Ai veçoi në mënyrë të veçantë raportet me Kosovën dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se mungesa e një qasjeje të hapur të Serbisë ndaj Kosovës vazhdon të jetë pengesë.
“Për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm, që ende mungon”, u shpreh Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





