Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.
Në rast të mosrespektimit të saj, Policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.
Rasti u bë publik më 31 tetor, kur u raportua për arrestimin e Gëzim Berishës. Bashkëshortja e tij kishte raportuar në Polici se kishte përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga ai, me të cilin nuk bashkëjetonte prej disa muajsh.
Sipas raportimeve të mediave, Berisha dyshohet se e kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhte njëjtë si Arlinda Zekajt, e cila ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Ndaj vendimit të Gjykatës, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/




