Kryesuesi i Komisionit, Burim Ramadani, ka deklaruar se puna e këtij mekanizmi duhet të mbështetet në prova dhe fakte konkrete, duke kërkuar që procesi të mos shndërrohet në përplasje politike.
“Ky komision nuk është farsë, është komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve”, ka deklaruar Ramadani.

Ai bëri të ditur se puna e komisionit do të zhvillohet në tri faza: mbledhja e provave, vlerësimi i materialeve dhe përgatitja e raportit përfundimtar.
Ramadani theksoi gjithashtu se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbrojtje pasi t’u drejtohet organeve shtetërore për ndihmë.
Edhe nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, u zotua se hetimi do të zhvillohet me profesionalizëm dhe përgjegjësi, duke përfshirë verifikimin e secilit veprim dhe mosveprim të institucioneve përgjegjëse.
“Për të hetuar, verifikuar në detaje secilin veprim, mosveprim, mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Rrustemi.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi Ramaj, vuri theksin te përgjegjësia e të gjitha niveleve institucionale, duke argumentuar se llogaridhënia nuk duhet të kufizohet vetëm te zyrtarët që kanë trajtuar drejtpërdrejt rastin.
“Përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet”, është shprehur Kabashi Ramaj.
Ajo bëri të ditur se deri të mërkurën do të dorëzohet plani i veprimit të Komisionit, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe sa më shpejt.
Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, theksoi peshën e përgjegjësisë që kanë anëtarët e këtij komisioni, duke rikujtuar se rasti kërkon angazhim serioz.
“E ndjera Arlinda i ka thënë të gjitha që ne sot s’mund t’i themi dhe e jona është të punojmë shumë në këtë komision hetimor”, deklaroi Kica Xhelili.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat deri në gjashtë muaj për të hetuar përgjegjësinë institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës e themeloi këtë komision më 29 tetor, me 90 vota për.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar një letër institucioneve, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Hetimi parlamentar pritet të adresojë jo vetëm rrethanat e këtij rasti, por edhe përgjegjësitë institucionale dhe mangësitë e mundshme në sistemin e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Burimi: RTKLive




