Deputetët e Bundestagut dhe anëtarë të qeverisë federale gjermane kanë marrë paralajmërime nga Apple se telefonat e tyre iPhone mund të jenë shënjestruar nga programe të sofistikuara spiunazhi.

Lajmin e konfirmoi ministri gjerman për Çështjet Digjitale, Karsten Wildberger, duke bërë të ditur se Apple kishte zbuluar sulme të mundshme me të ashtuquajturin “mercenary spyware”.
Sipas Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI), paralajmërimet kanë filluar të dërgohen më 29 tetor.
Autoritetet u kanë rekomanduar personave të prekur që, si masë paraprake, t’i konsiderojnë telefonat e tyre si të komprometuar, pasi ende nuk dihet nëse sulmet kanë qenë të suksesshme.
Spyware të tilla mund t’u japin sulmuesve qasje në mesazhe, telefonata, kontakte dhe të dhëna të vendndodhjes.
Në raste të caktuara, ato mund të aktivizojnë edhe kamerën dhe mikrofonin e pajisjes.
Ministri Wildberger tha se BSI kishte reaguar me shpejtësi dhe kishte njoftuar personat e prekur për masat që duhet të ndërmarrin.
Megjithatë, autoritetet gjermane dhe Apple ende nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas sulmit dhe sa persona janë shënjestruar. /Telegrafi/




