Dy persona të vdekur pas shembjes së një ndërtese në New York, disa të tjerë mbesin nën rrënoja

Dy persona të vdekur pas shembjes së një ndërtese në New York, disa të tjerë mbesin nën rrënoja

Dy persona të vdekur pas shembjes së një ndërtese në New York, disa të tjerë mbesin nën rrënoja

Sponsor 3M Express

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe u shemb të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë u angazhuan në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur kazma dhe sharra për të nxjerrë personat e mbuluar nga pluhuri dhe të bllokuar nën grumbujt e drurit dhe tullave të shembura, transmeton Telegrafi.

Gjatë një konference për media, autoritetet njoftuan se të paktën 17 persona ishin dërguar në spital, katër prej të cilëve në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve i New Yorkut bëri të ditur se operacionet do të vazhdojnë gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e cilësoi situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

“Kjo ka qenë një situatë jashtëzakonisht sfiduese dhe që ka ndryshuar me shpejtësi. Ekipet duhet të lëvizin mes rrënojave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën sipërfaqe. Kjo është pikërisht ajo për të cilën trajnohen zjarrfikësit tanë”, deklaroi Mamdani.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, ndërtesa u shemb në kohën kur punëtorët e ndërtimit po gërmonin në një parcelë bosh pranë saj, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri.

Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa e shembur kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Ajo u shndërrua në një grumbull të madh rrënojash në fund të gropës së kantierit.

Edhe ndërtesa fqinje, e cila ndante një mur me objektin e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme. Një pjesë e madhe e murit të jashtëm u shkatërrua, duke ekspozuar ambientet e brendshme, përfshirë dhoma gjumi dhe dollapë me rroba ende brenda.

Gjatë operacionit, zjarrfikësit arritën të nxirrnin nga rrënojat një grua, pasi hapën një kalim përmes mbetjeve të ndërtesës. Ndërkohë, ekipet vazhduan të shpëtonin persona të tjerë, përfshirë shtatë fëmijë. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ndonjëri prej fëmijëve ishte në mesin e viktimave.

Komisionerja e Departamentit të Zjarrfikësve, Lillian Bonsignore, tha se ekipet po kryenin një punë jashtëzakonisht të rrezikshme, duke gërmuar me duar dhe duke përdorur dronë për të vlerësuar situatën.

“Çdo lëvizje është e planifikuar me kujdes”, deklaroi ajo.

Gjatë operacionit, një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta. Mes banorëve të prekur nga shembja ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në punë.

Ai i tha gazetës New York Post se bashkëshortja e kishte telefonuar për t’i treguar se ndërtesa ishte shembur dhe se ajo, së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç, kishin mbetur nën rrënoja.

“Ajo më telefonoi kur ndërtesa u shemb, ndërsa ishte brenda dhe kishte rrënoja mbi të. Po bërtiste që dikush ta ndihmonte ta nxirrte djalin tim, pastaj telefonata u ndërpre”, rrëfeu Velez.

Ai tha se më vonë kishte marrë vesh se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat. /Telegrafi/

Lexo edhe

E mitura bie aksidentalisht nga vetura në lëvizje në Suharekë, dërgohet në QKUK me lëndime të rënda

E mitura bie aksidentalisht nga vetura në lëvizje në Suharekë, dërgohet në QKUK me lëndime të rënda

Arrestohet një zyrtar komunal në Prishtinë, dyshohet se mundësoi regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një personi

Arrestohet një zyrtar komunal në Prishtinë, dyshohet se mundësoi regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një personi

Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Kosovë

Dy persona të vdekur pas shembjes së një ndërtese në New York, disa të tjerë mbesin nën rrënoja | Momenti