Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim pasi dy avionë për pak sa nuk u përplasën në ajër, pak pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Los Angelesit (LAX), gjatë fundjavës.

Incidenti ndodhi të shtunën, rreth orës 00:20, kur, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), fluturimi 28 i Air France bëri një “kthesë të paautorizuar” pas ngritjes nga aeroporti.
Si pasojë, avioni hyri në trajektoren e një tjetër mjeti fluturues, i cili ishte nisur nga një pistë paralele, transmeton Telegrafi.
Sipas regjistrimeve audio të komunikimit mes kontrollorëve të trafikut ajror dhe pilotëve, kontrollorët reaguan menjëherë duke i kërkuar avionit të Air France të kthehej djathtas dhe të rikthehej në trajektoren fillestare.
Në të njëjtën kohë, pilotëve të fluturimit 1660 të American Airlines, i cili po udhëtonte drejt Dallasit, iu kërkua të ulnin lartësinë për të shmangur një përplasje të mundshme.
Pas incidentit, kontrollorët e trafikut ajror i pyetën vazhdimisht pilotët e Air France se çfarë kishte ndodhur dhe pse ishin larguar nga trajektorja e caktuar e ngritjes. Megjithatë, për gati 20 minuta nuk duket se morën një përgjigje të qartë.
“Më duhet një përgjigje. Cila ishte trajektorja e ngritjes që ju udhëzoi të ndiqnit kulla e kontrollit?”, dëgjohet duke pyetur një kontrollor ajror pilotin e Air France.
Autoritetet e kanë klasifikuar rastin si një “devijim të mundshëm nga udhëzimet e pilotit”, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit. /Telegrafi/




