Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve transportuese në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë, ka zbuluar një sasi prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara.

Kamioni në fjalë, i cili sipas dokumentacionit kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, është përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut. Me këtë rast, zyrtari doganor ka kërkuar që automjeti t’i nënshtrohet kontrollit me skaner dhe matjes së peshës.
Gjatë verifikimit në peshore janë evidentuar mospërputhje në peshën e deklaruar, përkatësisht një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara. Për këtë arsye, është kërkuar kontroll më i detajuar i ngarkesës.
Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154,000 dollarë amerikanë.
Rasti është duke vazhduar me procedurat përkatëse administrative, në përputhje me dispozitat e Kodit Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizën.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e kontrolleve efikase dhe në përdorimin e mekanizmave të menaxhimit të riskut, me qëllim parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.
Burimi: Insajderi




