Grupi Punues i themeluar nga Qeveria e Kosovës për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin e apelimit në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbledhur këtë të shtunë, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në këtë takim, në fokus janë çështjet që lidhen me procedurën e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët më 16 shtator u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Mbajtja e mbledhjes ishte paralajmëruar të enjten nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili udhëheq Grupin Punues. Ai kishte bërë të ditur se takimi do të zgjaste disa orë dhe se anëtarët do të angazhoheshin gjatë gjithë ditës për trajtimin e kësaj çështjeje.
Para nisjes së mbledhjes, anëtarët e grupit nuk janë deklaruar për media, ndërsa kanë bërë të ditur se qëndrimet e tyre do t’i paraqesin pas përfundimit të takimit.
Më 16 shtator, katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vjet burgim në total për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme. Ata u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




