Ndeshja Drita–Prishtina është shoqëruar me skena të rënda jashtë stadiumit në Gjilan. Tifozë që vërsulen drejt njëri-tjetrit, sende të forta që fluturojnë dhe policë që ndërhyjnë për të ndalur përleshjen. Bilanci i incidentit është i rëndë: tre zyrtarë policorë të lënduar, njëri prej tyre rëndë në kokë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 14:00, në afërsi të palestrës “Bashkim Selishta” në Gjilan, rreth 100 metra larg stadiumit ku po zhvillohej ndeshja e mbetur e Superligës së Kosovës.
Gjithçka është tensionuar pasi tifozëve të Prishtinës nuk u ishte lejuar hyrja në stadium, për shkak se nuk kishin marrë miratimin e organizatorit për të qenë të pranishëm.
Teksa tifozët mysafirë ndodheshin jashtë stadiumit, një grup tifozësh vendas ka dalë nga objekti sportiv dhe është vërsulur në drejtim të tyre.
Në ato momente ka nisur hedhja e sendeve të forta mes dy grupeve, duke detyruar Policinë të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e përleshjes.
Por ndërhyrja për të ndalur dhunën ka përfunduar me lëndimin e tre policëve.
Njëri nga policët pëson lëndime të rënda në kokë
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një zyrtar policor ka pësuar lëndime të rënda trupore në kokë, ndërsa dy kolegët e tij kanë marrë lëndime të lehta.
Të tre janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa nga radhët e tifozëve nuk është raportuar për të lënduar.
Kamerat mund të zbulojnë kush qëndron pas dhunës
Pas incidentit, hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave për të identifikuar personat përgjegjës.
Janë siguruar video-incizime dhe dëshmi të tjera, të cilat po analizohen për të përcaktuar se kush i ka kryer veprimet që çuan në lëndimin e zyrtarëve policorë.
Me udhëzim të Prokurorisë së Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura identitetet e personave të dyshuar dhe nuk ka informacion të konfirmuar për arrestime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




