Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin është lajmëruar nga Moska për të mohuar pretendimet se është arratisur nga Serbia, pas incidentit me avionin e Air Serbia që u kthye në Beograd për kontrolle shtesë sigurie.
Kreu i Lëvizjes Socialiste dhe kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Srbijagasit pretendon se ndodhet në Rusi për takime lidhur me vazhdimin e marrëveshjes së furnizimit me gaz. Në një videomesazh, ai tha se nuk do të largohej pa familjen dhe sulmoi raportimet për rrethanat e udhëtimit të tij, raporton N1 përcjell Dukagjini.

Megjithatë, mohimi i arratisjes nuk sqaron pikëpyetjet rreth procedurave të sigurisë që çuan në kthimin e avionit. Fluturimi JU134, i nisur më 3 nëntor nga Beogradi drejt Moskës, u detyrua të kthehej pasi shërbimet aeroportuale kërkuan kontrolle shtesë për një pasagjer.
Sipas raportimeve mbi njoftimin e prokurorisë, gjatë kontrollit ishte aktivizuar alarmi, por pasagjeri nuk i ishte nënshtruar kontrollit shtesë. Autoritetet kanë kërkuar verifikimin e rrethanave të këtij lëshimi.
Vulin e ka paraqitur incidentin si presion politik, duke pretenduar se kontrolli nuk zbuloi asgjë të paligjshme. Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar se si u zbatua procedura e sigurisë dhe kush mban përgjegjësi për kthimin e avionit dhe vonesën e udhëtarëve.
Burimi: Dukagjini




