Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për një angazhim të përbashkët institucional dhe shtetëror në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një reagim të publikuar me rastin e gjashtëvjetorit të shkuarjes së tyre në Hagë, Çitaku ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, përmes të cilit, sipas saj, katër ish-krerëve u janë shqiptuar gjithsej 81 vjet burgim. Ajo e ka cilësuar vendimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke pretenduar se ai bie ndesh me provat, standardet e një gjykimi të drejtë dhe të vërtetën historike të luftës çlirimtare.
Çitaku ka vlerësuar se pasojat e këtij procesi shkojnë përtej fatit të katër të akuzuarve, pasi, sipas saj, në pikëpyetje është vënë edhe historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Në reagimin e saj, Çitaku ka kërkuar që institucionet e Kosovës të angazhohen për hartimin e një Strategjie Shtetërore për procesin e Apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes financiare dhe intensifikimin e përpjekjeve diplomatike.
Postimi i plotë:
Sot bëhen gjashtë vjet nga shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjashtë vjet larg familjeve, lirisë dhe vendit për të cilin dhanë gjithçka.
Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm. E kundërshtojmë fuqishëm, sepse bie ndesh me provat, me standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare.
Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!
Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së një populli të tërë, i luftës së shenjtë të UÇK-së dhe i mbështetjes vendimtare të aleatëve tanë, SHBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s.
Sot është koha që Republika e Kosovës t’i dalë zot historisë së vet dhe çlirimtarëve të saj.
Angazhimi i përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik, është në funksion të kësaj mbrojtjeje.
Paralelisht, po punojmë për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të krijuar një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët tanë.
Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi! Dhe nuk do të lejojmë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri.
Sepse Republika që lindi nga sakrifica e çlirimtarëve të saj, sot ka detyrimin të qëndrojë pranë tyre.
Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm!
As sot. As nesër. Asnjëherë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




