Sipas Euronews, në një letër të siguruar nga ky medium, Costa ka thënë se diskutimi për të dyja çështjet do të zhvillohet në fund të muajit, gjatë një samiti të posaçëm në Bruksel, pasi Komisioni Evropian të paraqesë propozimet për mbulimin e mungesës financiare të Ukrainës.
Megjithatë, Merz ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet gjatë samitit joformal të kësaj jave në Dublin.

“Në dritën e zhvillimeve të vazhdueshme, do të ndaj kohë për një diskutim të gjerë mbi Ukrainën në Këshillin Evropian joformal të ardhshëm në Dublin”, ka shkruar Costa, duke lënë të hapur mundësinë që Merz ta ngrejë këtë çështje para homologëve të tij.
BE-ja është zotuar të mbulojë dy të tretat e mungesës financiare të Ukrainës, e cila arrin në 70 miliardë euro, përkatësisht rreth 45 miliardë euro, përmes një instrumenti që ende nuk është përcaktuar.
Një raund i ri i borxhit të përbashkët është shfaqur si opsioni kryesor për mbulimin e këtyre nevojave financiare.
Merz i kishte thënë Costas se zotimi për të ofruar ndihmë të re për Ukrainën ishte “parakusht thelbësor” për miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së.
Kjo lëvizje lidh dy çështje të debatueshme, të cilat kërkojnë miratimin unanim të shteteve anëtare.
“Mbështetja për Ukrainën është çështje e sigurisë sonë të pandashme evropiane, dhe po ashtu duhet të jetë edhe ndarja e barrës për këtë mbështetje”, kishte shkruar Merz.
Sipas Euronews, Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kanë kundërshtuar tashmë ultimatumin e kancelarit gjerman.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, e ka cilësuar këtë veprim si “shantazh”.
Katër shtetet kërkojnë të përjashtohen nga çdo kredi e ardhshme për Ukrainën.
Burimi: RTKLive




