Shef i repartit të Internos në një spital në Gjermani, Besnik Ismajli: Për Kosovën vlejnë edhe rikthimi, edhe angazhimi i pjesshëm i mjekëve

Shef i repartit të Internos në një spital në Gjermani, Besnik Ismajli: Për Kosovën vlejnë edhe rikthimi, edhe angazhimi i pjesshëm i mjekëve

Shef i repartit të Internos në një spital në Gjermani, Besnik Ismajli: Për Kosovën vlejnë edhe rikthimi, edhe angazhimi i pjesshëm i mjekëve

Pas një rrugëtimi shumëvjeçar profesional në Gjermani dhe Zvicër, mjeku Besnik Ismajli vendosi që përvojën e fituar jashtë vendit ta sjellë edhe në Kosovë.

Sponsor 3M Express

I specializuar në mjekësinë interne dhe gastroenterologji, ai sot ushtron profesionin në të dyja vendet, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave mes sistemeve shëndetësore.

Angazhimin në Kosovë e nisi në fillim të vitit 2023, me bindjen se përvoja profesionale e fituar në Evropë mund të shërbejë edhe për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në vend.

Në një intervistë për Telegrafin, Ismajli rrëfen përvojën e tij, dallimet mes sistemeve shëndetësore dhe sfidat me të cilat përballen mjekët dhe pacientët në Kosovë.

Ai flet edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me mjekët e diasporës dhe nevojën për të ndërtuar besimin e pacientëve në mjekësinë vendore.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Ku i keni kryer studimet dhe si ka qenë rrugëtimi juaj profesional?

Besnik Ismajli: Studimet e mjekësisë i kam kryer në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2010 shkova në Gjermani, ku përfundova specializimin në mjekësi interne dhe gastroenterologji. Gjatë viteve kam punuar në spitale të ndryshme në Gjermani dhe në Zvicër, ku kam mbajtur edhe pozita drejtuese. Sot jam shef i Shërbimit të Mjekësisë Interne dhe Gastroenterologjisë në një pozitë të Gjermanisë. Kjo pozitë këtu quhet Chefarzt. Kurse, në Kosovë po vazhdoj angazhimin tim si mjek dhe kam pacientët që trajtoj me kënaqësinë më të madhe.

Telegrafi: Kur lindi ideja e rikthimit në Kosovë dhe si i kujtoni ditët e para të punës këtu?

Besnik Ismajli: Mendimin për t’u kthyer në Kosovë e kam pasur që në fillim. Kur shkova në Gjermani, plani im ishte ta kryeja specializimin atje dhe pastaj të kthehesha. Rruga profesionale zgjati më shumë nga sa e kisha menduar dhe angazhimin në Kosovë e nisa në fillim të vitit 2023.

Ditët e para nuk ishin krejt të lehta. Pas kaq vitesh pune në një sistem tjetër dhe në gjuhën gjermane, më duhej pak kohë të mësohesha me mënyrën e punës këtu. Por ishte ndjenjë shumë e mirë të flisja me pacientët në gjuhën time. Ndonjëherë, duke ua shpjeguar sëmundjen, më dilte vetvetiu ndonjë term në gjermanisht. Pacientët më pritën shumë mirë dhe treguan mirëkuptim edhe në ato raste. Kjo ma bëri fillimin më të lehtë.

Telegrafi: Çfarë dallimesh keni vënë re mes Gjermanisë dhe Kosovës në mënyrën e punës dhe në komunikimin me pacientët?

Besnik Ismajli: Një dallim që e kam vënë re është mënyra si flitet me pacientin kur diagnoza është e rëndë. Në Gjermani, pacienti informohet drejtpërdrejt për diagnozën dhe mundësitë e trajtimit. Në Kosovë, nga përvoja ime kryesisht në sektorin privat, ende ndodh që familjarët të më thonë: “Doktor, mos i tregoni, se e merr shumë rëndë.” E kuptoj që këtë e bëjnë nga meraku. Për mua, është e rëndësishme ta dëgjoj edhe vetë pacientin, ta kuptoj sa dëshiron të dijë dhe t’ia shpjegoj gjendjen me kujdes, me fjalë që i kupton.

Edhe teknologjia po e ndryshon bisedën me pacientin. Kam përshtypjen se edhe në Kosovë pacientët po e përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale për t’u informuar. Ndonjëherë vijnë në konsultë me një përgjigje që kanë marrë dhe më pyesin pse mendimi im ndryshon. Kjo na sfidon edhe neve si mjekë, sepse duhet të shpjegojmë qartë se si kemi arritur te vlerësimi ynë dhe çfarë vlen konkretisht për rastin e tyre.

Kam vënë re edhe një dallim në moshë. Në Kosovë takoj më shpesh pacientë më të rinj, ndërsa në spitalin ku punoj në Gjermani pacientët që trajtoj janë përgjithësisht më të moshuar.

Telegrafi: Si e shihni sistemin shëndetësor në Kosovë, veçanërisht sektorin publik?

Besnik Ismajli: Në Kosovë kemi shumë mjekë të zotë e të përgatitur. Nga sa jam informuar, janë bërë edhe investime. Sipas meje, ajo që ende duhet përmirësuar është lidhja mes hallkave të sistemit. E shoh si një zinxhir. Hallkat ekzistojnë, por duhet të lidhen më mirë me njëra-tjetrën.

Për shembull, pacienti duhet ta ketë të qartë se ku drejtohet pas vizitës te mjeku i familjes, si kalon te specialisti dhe kush e përcjell pasi të dalë nga spitali. Pikërisht në këtë vazhdimësi mendoj se sektori publik ka ende punë për të bërë.

Telegrafi: A po kthehen aq shumë mjekë në Kosovë sa po raportohet?

Besnik Ismajli: Nga rrethi im njoh disa kolegë që janë kthyer për të jetuar e punuar në Kosovë. Njoh edhe të tjerë që vazhdojnë të punojnë në Gjermani dhe vijnë rregullisht për t’u angazhuar këtu. Të dyja format kanë vlerë. Për numrin e përgjithshëm nuk kam të dhëna, ndaj mund të flas vetëm për rastet që njoh vetë.

Telegrafi: A do t’i këshillonit mjekët shqiptarë në diasporë të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë?

Besnik Ismajli: Po, do t’i këshilloja të gjejnë një mënyrë për të kontribuar. Për dikë kjo mund të nënkuptojë kthim të përhershëm, për dikë tjetër angazhim të rregullt ose bashkëpunim me kolegët në Kosovë. Për mua, rëndësi ka që shkëmbimi i përvojës të bëhet në të dyja drejtimet. Kur ky bashkëpunim vazhdon me kohë dhe përfshin fusha të ndryshme të mjekësisë, mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e mënyrës si funksionon sistemi.

Telegrafi: Çfarë do t’u thoshit mjekëve që duan të shkojnë në Evropë për të punuar?

Besnik Ismajli: Do t’u thosha se ia vlen të shkojnë për të mësuar, për t’u specializuar dhe për të parë nga afër si punohet në një sistem tjetër. Unë vetë kam përfituar shumë nga kjo përvojë. Sa i përket jetës, secili i ka rrethanat e veta. Për mua personalisht, me gjithë mundësitë profesionale që kam pasur jashtë, jeta në Kosovë ka një vlerë që zor se e gjej diku tjetër. Nëse u jepet mundësia, do t’i inkurajoja ta ndajnë me kolegët këtu atë që kanë mësuar jashtë.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për ata që kanë pak besim te mjekësia në Kosovë?

Besnik Ismajli: Do t’u thosha se në Kosovë kemi mjekë shumë të mirë dhe se besimi ndërtohet me përvojat që pacienti ka çdo ditë. Ai fillon kur mjeku e dëgjon pacientin, i shpjegon qartë çfarë po ndodh dhe pacienti e di se ku të drejtohet për hapin tjetër.

Që kjo të funksionojë, secili ka pjesën e vet. Mjeku ka përgjegjësi për punën dhe komunikimin me pacientin. Pacienti ka të drejtë të pyesë dhe të marrë pjesë në vendimet për trajtimin e vet. Institucionet dhe politika duhet të krijojnë kushtet që kujdesi të funksionojë, ndërsa drejtësia ka rolin e saj kur duhen mbrojtur të drejtat. Besimi rritet kur pacienti e sheh se mund të mbështetet te sistemi gjatë gjithë rrugës së trajtimit./Telegrafi/

Lexo edhe

Mazreku: Përvetësimi i mjeteve të klientit nga avokati, përbën vepër penale

Mazreku: Përvetësimi i mjeteve të klientit nga avokati, përbën vepër penale

Vrasja e kushëririt në Skenderaj, babë e bir dënohen me nga 24 vite e gjashtë muaj burgim

Vrasja e kushëririt në Skenderaj, babë e bir dënohen me nga 24 vite e gjashtë muaj burgim

Auditori gjen se Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro të kredisë për projekte jashtë destinimit

Auditori gjen se Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro të kredisë për projekte jashtë destinimit

Shef i repartit të Internos në një spital në Gjermani, Besnik Ismajli: Për Kosovën vlejnë edhe rikthimi, edhe angazhimi i pjesshëm i mjekëve | Momenti