Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm nga Qeveria, i cili parashihet të jetë mbi 4 miliardë euro.

Bajrami ka thënë se rritja e buxhetit nuk paraqet realitetin ekonomik të vendit, pasi sipas saj, që nga viti 2021 e deri më sot, çmimet janë rritur rreth 34%.
“Rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e tregojnë realitetin ekonomik. Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021.”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se sikur të kishte mirëqenie, qytetarët nuk do të iknin nga vendi.
“Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve. Fundja sikur të kishte mirëqenie nuk e kishin lëshu vendin rreth 250 mijë qytetarë nga vitit 2021”, ka thënë ajo. /Klankosova.tv




