Ish-presidenti amerikan Joe Biden tha në një intervistë të publikuar të mërkurën se paraqitja e tij në debatin me Donald Trump në vitin 2024 “nuk pati shumë rëndësi” dhe se nuk do të kishte tentuar të siguronte një mandat të dytë po ta dinte se kishte kancer.

Intervista për revistën PEOPLE vjen pak para publikimit të kujtimeve të Bidenit nga koha kur ishte president, me titull “Promise Me, America”, javën e ardhshme.
Debati i korrikut 2024, në të cilin Biden u shfaq i hutuar dhe pati vështirësi ta artikulonte argumentimin e tij për një mandat tjetër, përfundimisht çoi në tërheqjen e presidentit nga gara dhe në mbështetjen e zëvendëspresidentes së tij, Kamala Harris, vetëm 107 ditë para zgjedhjeve të vitit 2024.
Paraqitja e tij në debat e shtyu edhe bashkëshorten e tij, zonjën e parë Jill Biden, të mendonte se presidenti po pësonte goditje në tru. Por Biden e minimizoi ndikimin e debatit në intervistën e re, shkruan CNN.
“Shikoni, nuk njoh askënd që nuk ka bërë ndonjë gabim në një debat”, tha Biden në intervistën për PEOPLE. “Për mua, nuk pati shumë rëndësi. Së pari, mendoja se do të kishte një debat tjetër, por ai nuk u mbajt. Megjithatë, pavarësisht faktit se nuk pati një debat tjetër, kjo nuk më shqetësoi, sepse nuk kishte rëndësi”.
Një debat i dytë ishte planifikuar të mbahej në shtator, por ai u zhvillua mes Harris dhe Trump.
Biden do të kishte dhënë dorëheqje po ta dinte për kancerin
Ish-presidentit iu diagnostikua një formë agresive e kancerit të prostatës vetëm katër muaj pasi u largua nga detyra.
Ai pranoi se ishte ndier “shumë keq” para se të mësonte për kancerin dhe shtoi se nuk do të kishte tentuar të niste një tjetër fushatë për Shtëpinë e Bardhë po ta dinte se ishte i sëmurë.
“Nëse do ta kisha ditur se ndihesha keq sepse kisha kancer, do të kisha dhënë dorëheqje. Nuk do të kisha vazhduar, sepse nuk mendoj se një burrë 80-vjeçar me kancer duhet të kandidojë për president. Por nuk ishte ky rasti… Besoj se, mbi baza objektive, isha personi më i përgatitur për ta kryer këtë detyrë”, tha ai.
Ai tha se e kishte informuar publikun për diagnozën “kur e morëm vesh” dhe mohoi se e kishte fshehur të vërtetën për gjendjen e tij shëndetësore gjatë presidencës.
“Nuk e bëra këtë”, tha Biden. “E informuam publikun kur e mora vesh, kur kuptova se çfarë po ndodhte. Mendoj se është e rëndësishme që një udhëheqës kombëtar, si president, t’u bëjë të ditur njerëzve se edhe ai kalon nëpër disa nga të njëjtat gjëra që po përjetojnë shumë amerikanë”.
Libri i Biden do të publikohet të martën e ardhshme. Ai ka thënë se kanceri do t’ia kufizojë mundësinë për ta promovuar atë.
Burimi: Insajderi





