Ankandi i orëve të rralla të dorës, i mbajtur në Gjenevë, ka arritur një vlerë totale prej afro 48 milionë frangash zvicerane. Të 44 orët e ofruara për shitje gjetën pronarë të rinj, ndërsa interes të veçantë zgjuan edhe disa modele nga koleksioni privat i ish-pilotit të Formula 1, Michael Schumacher.

Në ankand morën pjesë ofertues nga 66 vende të ndryshme të botës. Ngjarja, e cila zgjati më shumë se tetë orë, u mbajt në Hotel des Bergues në Gjenevë, raportoi të martën agjencia italiane e lajmeve Adnkronos, shkruan Watson.
Vëmendje të veçantë tërhoqi një seri prej pesë orësh të markës FP Journe, të cilat dikur i përkisnin Michael Schumacherit. Këto modele ishin krijuar për të shënuar 30-vjetorin e partneritetit ndërmjet pilotit të Formula 1 dhe ekipit Scuderia Ferrari.
Dy prej tyre, Tourbillon Souverain dhe Chronomètre à Résonance, u shitën për nga 1,536,000 franga zvicerane secila.
Ndërkaq, një trilogji orësh prej ari rozë, nga i njëjti prodhues, u shit si set i plotë për 6,709,200 franga zvicerane, tek një blerës i vetëm.
Në ankand u ofrua edhe një koleksion prej dhjetë orësh të markës A. Lange & Söhne, i cili u shit si një set i vetëm. Modeli kryesor i këtij koleksioni arriti çmimin prej 524,800 frangash zvicerane, transmeton Telegrafi.
Modelet historike tërheqin interesin e koleksionistëve
Kërkesë të madhe pati edhe për orët historike të markës Patek Philippe.
Një kronograf me kalendar të përhershëm, i prezantuar në vitin 1941, u shit për 1,075,200 franga zvicerane.
Po ashtu, një model prej ari të verdhë, i prodhuar në vitin 1978 për sulltanin e atëhershëm të Omanit, u shit për 1,024,000 franga zvicerane.
Përveç ankandit kryesor, në Gjenevë u organizua edhe një ankand i veçantë bamirësie, në mbështetje të një organizate që lufton leukodistrofitë, çrregullime të rralla, kryesisht gjenetike, të sistemit nervor.
Ky ankand mblodhi 501,400 franga zvicerane. Ndër artikujt e ofruar për shitje ishte edhe një orë që i përkiste ish-futbollistit francez Zinédine Zidane./Telegrafi/




