Konferenca për shtyp e mesfushorit të Barcelonës, Frenkie De Jong, në Baku përfundoi në mënyrë të pazakontë, pasi një gazetar i bëri një pyetje të çuditshme në lidhje me mungesën e Lamine Yamalit në udhëtimin drejt Azerbajxhanit.

Ngjarja ndodhi të martën, kur De Jong ishte ngritur tashmë në këmbë dhe po largohej nga salla e konferencës, raporton Reuters. Në atë moment, gazetari e pyeti nëse Yamal kishte munguar në udhëtim sepse po luante videolojën GTA në shtëpi.
Në videon e publikuar dëgjohet gazetari duke e përsëritur pyetjen dy herë në gjuhën angleze: “A është e vërtetë që Lamine Yamal nuk erdhi sepse po luan GTA? Apo nuk është e vërtetë? Lamine Yamal nuk erdhi sepse po luan GTA në shtëpi”.
Mesfushori holandez u duk i hutuar nga pyetja dhe u largua nga salla pa dhënë përgjigje.
Barcelona konfirmoi të hënën se Yamal do të mungojë në ndeshjen e së mërkurës kundër Sabahut në Ligën e Kampionëve, për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.
Sulmuesi 19-vjeçar ka qenë titullar në të 17 ndeshjet e Barcelonës këtë sezon, ndërsa shpresohet që të jetë i gatshëm për takimin e fundjavës në La Liga kundër Deportivo La Corunas.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, në konferencën për shtyp para ndeshjes u shpreh se skuadra e tij e di se si të luajë edhe pa yllin spanjoll.
“Kemi luajtur edhe më parë pa Lamine, kështu që mendoj se e dimë çfarë duhet të bëjmë. Por Lamine është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. E kontrolluam të hënën në mëngjes dhe vendosëm se ishte më mirë që ai të qëndronte në shtëpi. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe ai të jetë i gatshëm për fundjavën”, deklaroi Flick.
Barcelona aktualisht renditet në vendin e gjashtë në tabelën e Ligës së Kampionëve, me tri fitore dhe një humbje./Telegrafi/





