Atifete Berisha, e dyshuar për mashtrim me rreth 48 mijë frangat e mbledhura përmes platformës GoFundMe për shërimin e pesëvjeçares Ajra Fekaj, është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Kjo e fundit ka konfirmuar për Insajderin se rasti është duke u trajtuar nga Prokurori i Shtetit, i cili po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

Rasti i mbledhjes së rreth 48 mijë frangave zvicerane për shërimin e pesëvjeçares Ajra Fekaj, të cilat familja pretendon se nuk i ka pranuar asnjëherë, tashmë është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në një përgjigje zyrtare për Insajderin, Prokuroria ka konfirmuar se çështja është në trajtim nga Prokurori i Shtetit, i cili, në kuadër të kompetencave ligjore, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
“Lidhur me rastin me numër të lëndës PP.II.5217/2026, Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar çështjen dhe, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Atifete Berisha, e cila dyshohet se ka mbledhur para për trajtimin mjekësor të vogëlushes në Zvicërr, por që, sipas pretendimeve të familjes, nuk ua ka transferuar asnjëherë mjetet financiare.
48 mijë franga të mbledhura, nëna e vajzës thotë se nuk i mori paratë
Fushata për mbledhjen e ndihmave ishte organizuar për Ajra Fekajn, e cila vuante nga epilepsia dhe kishte nevojë për trajtim jashtë vendit.
Përmes platformës GoFundMe ishin mbledhur rreth 48 mijë franga zvicerane. Fushatën e kishte hapur Atifete Berisha, një grua nga Ferizaj me banim në Zvicër, e cila ishte ofruar ta ndihmonte familjen duke e hapur llogarinë bankare në emrin e saj.
Por, pas përfundimit të fushatës, sipas nënës së vajzës, Aida Krasniqi Fekaj, paratë nuk u transferuan te familja.
Ajo ka rrëfyer për Insajderin se për më shumë se një muaj kishte kërkuar vazhdimisht dorëzimin e mjeteve, por kishte marrë vetëm premtime dhe arsyetime të ndryshme.
Madje, sipas saj, ishte organizuar edhe një takim në Turqi, ku pritej të bëhej dorëzimi i parave, por Berisha nuk ishte paraqitur.
Audioincizimi dhe dëshmitë e dorëzuara në Insajderi
Në mbështetje të pretendimeve të saj, Aida Krasniqi Fekaj i ka dorëzuar Insajderit edhe një audioincizim, në të cilin pretendon se dëgjohet Atifete Berisha duke pranuar se e kishte gënjyer dhe se paratë i kishte marrë për vete.
Këto pretendime, së bashku me dëshmitë e tjera të prezantuara nga familja, janë pjesë e materialeve që hedhin dritë mbi mënyrën se si është menaxhuar fushata e ndihmave.
Dy avokatë pretendojnë se janë mashtruar nga Berisha
Në këtë rast, pretendimet nuk lidhen vetëm me familjen e Ajrës.
Avokati Asdren Bytyqi, i cili përfaqëson Aidën Krasniqi Fekaj, ka deklaruar për Insajderin se ndaj Atifete Berishës kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për mashtrim dhe keqpërdorim të besimit.
Bytyqi ka thënë se edhe vetë është përballur me veprime që i konsideron mashtruese nga ana e Berishës.
Ndërkaq, i mashtruar nga ajo është ndjerë edhe ish-avokati i Berishës, Liridon Jetishi.
Ai ka treguar se fillimisht ishte autorizuar për ta përfaqësuar palën në këtë çështje, por sipas tij, gjatë rrugëtimit, Berisha nuk iu kishte përmbajtur marrëveshjes.
Spitali në Turqi konfirmoi operacionin, por mbeti borxhi prej 28 mijë eurosh
Gazeta Insajderi kishte kontaktuar Spitalin Memorial në Turqi, nga ku ishte konfirmuar se operacioni i vogëlushes ishte kryer në këtë institucion shëndetësor.
Megjithatë, spitali kishte bërë të ditur se borxhi prej 28 mijë eurosh për trajtimin nuk ishte shlyer ende.
Insajderi ka tentuar disa herë të marrë edhe versionin e Atifete Berishës lidhur me këto pretendime. Ajo kishte premtuar sqarime dhe kishte kërkuar kohë, por deri në momentin e publikimit nuk kishte ofruar dëshmi se paratë e mbledhura ishin transferuar te familja e Ajrës.
Burimi: Insajderi





