Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë.
Ligji parashikon që Shqipëria mund të kontribuojë me trupa në Gaza, me një numër maksimal deri në 40 ushtarakë.
Misioni i tyre do të përfshijë sigurinë dhe stabilitetin, mbrojtjen e personelit dhe infrastrukturës, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e misionit dhe në kuadër të Bordit të Paqes.
Ligji mori 106 vota. Pavarësisht debateve në Kuvend për hetimin e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni dhe akuzave ndaj Qeverisë, opozita votoi për miratimin e ligjit.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u zotua për të dërguar trupa në kuadër të këtij misioni në Gazë. Në fillim të këtij viti, një ekip i ushtrisë shqiptare ishte dërguar në Gazë për të parë nga afër gjendjen në terren.
Në relacionin që shoqëroi ligjin theksohet se “në bazë të angazhimeve të Forcave të Armatosura në kuadër të Bordit të Paqes, vendi ynë parashikon të dërgojë personel të Forcave të Armatosura në mision në Gaza dhe në Karem Shalom, Izrael, brenda një afati sa më të shkurtër”.
Gjithashtu thuhet se Këshilli i Ministrave do të përcaktojë me vendim, rast pas rasti, numrin e pjesëmarrjes, komandimin operacional, kohëzgjatjen e misionit, shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në fillim të muajit shtator se Shqipëria është e përgatitur për të kontribuar në ISF në Rripin e Gazës, si dhe për të luajtur rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara për paqen dhe sigurinë.
Hoxha i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi në Tiranë me gjeneralmajorin amerikan Jasper Jeffers, i cili është komandant i ISF-së. Jeffers gjatë vizitës në Tiranë u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Hoxha theksoi se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah SHBA-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Edhe ministri Nufi theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të dhënë kontribut në misione të përbashkëta ndërkombëtare, duke e lidhur pjesëmarrjen në ISF me partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Jeffers vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën, ku së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nënshkruan një marrëveshje që formalizon përfshirjen e Kosovës në ISF./Radio Evropa e Lirë/

