Numri i aksidenteve të trafikut në Kosovë është në rritje.
Të dhënat e Policisë së Kosovës, tregojnë se brenda shtatë muajve të parë të këtij viti janar – korrik, kanë ndodhur gjithsej 12 mijë e 446 aksidente.
Prej tyre, 55 kanë qenë aksidente fatale, 58 me persona të vdekur, 5007 aksidente me lëndime, 9184 me persona të lënduar dhe 7384 aksidente me dëme materiale, raporton Kosovapress.
Brenda periudhës së njëjtë, vitin e kaluar ndodhën gjithsej 13 mijë e 235 aksidente. Prej tyre, 52 kanë qenë aksidente fatale, 59 me persona të vdekur, 4854 aksidente me lëndime, 9285 me persona të lënduar dhe 8329 aksidente me dëme materiale, ndërsa u shqiptuan 448 mijë e 661 gjoba.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj për KP vë në dukje pesë faktorët që shkaktojnë aksidente. Sipas tij, elementi shpejtësi i faktorit njeri është fajtor në 95 për qind të rasteve.
“Shkaktarët e aksidenteve të komunikacionit rrugor janë faktori njeri, faktori rrugë, faktori automjet, faktori komunikacioni rrugor dhe faktori incident. Këta janë pesë faktorët që drejtpërdrejtë, përmes elementeve të tyre ndihmojnë ose janë shkaktarë të aksidenteve në komunikacionin rrugor. Elementi shpejtësi i faktorit njeri është shkaktar i hiq më pak se 90-95 për qind të aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet, me lëndime trupore dhe dëme materiale”, tha Dedaj.
Gjatë periudhës janar- korrik të këtij viti Policia e Kosovës shqiptoi 469 mijë e 9 gjoba shoferëve.
Për parandalim të aksidenteve të trafikut, Policia e Kosovës harton plane operative dhe bën fushata si masë parandaluese.
“Policia, për të parandaluar aksidentet në trafik, në vazhdimësi analizon të dhënat rreth sigurisë në trafik, harton plane operative, bënë fushata dhe si masë parandaluese/ndëshkuese gjobitë shkelësit në trafik. Po ashtu, në vazhdimësi apelojmë tek pjesëmarrësit në trafik, në veçanti ndaj ngasësve të automjeteve, që: të respektojnë rregullat në trafik dhe të përqendrohen në ngasje të automjetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, Dedaj shpreh pikëpamjen se krijimi i ligjit të sigurisë së komunikacionit do të ndikonte që brenda 10 vjetësh numri i aksidenteve do të bjerë madje 50 për qind.
Ndër qytetarë shihen me shqetësim përmasat tragjike të aksidenteve të trafikut në Kosovë.
Liridon Fazliu vetë kishte pësuar aksidentalisht, por fatmirësisht pa lëndime të mëdha.
Sabit Hoxha, një qytetar tjetër, fajëson shoferët për aksidentet e trafikut.
Leonard Krasniqi është i mendimit se duhen të vendosen më shumë kamera dhe qytetarët të kenë më shumë kujdes.
Përveç shpejtësisë, si shkaktar i shpeshtë i aksidenteve të trafikut konsiderohet edhe përdorimi i telefonave mobilë gjatë ngasjes së automjeteve.
The post Shifra alarmante – Mbi 12 mijë aksidente për shtatë muaj, 58 të vdekur në trafik – shpejtësia “fajtori kryesor” appeared first on Gazeta Express.

