Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar personelin e misionit që vepron në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
Gjatë vizitës, Daniels ka vëzhguar nga afër punën e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve Ndërlidhëse dhe Monitoruese (LMT), të cilat janë të angazhuara në mbështetje të misionit të KFOR-it.
Daniels tha se personeli i MSU-së kontribuon në një prani të dukshme dhe mobile të sigurisë, ndërsa ekipet LMT mbajnë kontakte të rregullta me komunitetet lokale, duke ndihmuar në vlerësimin e situatës së sigurisë.
“Ajo që kam parë nga personeli ynë tregon se si KFOR-i po e përshtat qëndrimin e tij duke ruajtur aftësitë që kanë më shumë rëndësi: një prani të dukshme, ndërgjegjësim të fortë për situatën, angazhim me të gjitha komunitetet lokale dhe forca që janë të gatshme të përgjigjen kur është e nevojshme”, tha Daniels.
Sipas KFOR-it, optimizimi i qëndrimit të misionit do të vazhdojë në mënyrë graduale dhe të bazuar në kushtet në terren, duke marrë parasysh vlerësimet e vazhdueshme të situatës.
KFOR-i thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me synim kontribuimin në një mjedis të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Misioni thotë se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse.

