Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të garantojë sigurinë e sektorëve strategjikë dhe të infrastrukturës kritike, ndërsa mirëpresin investimet e huaja që nxisin ekonominë.
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, tha më 15 qershor se investitorët kërkojnë siguri, rregulla të qarta dhe mbrojtje nga aktorë që nuk veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.
VanHorn mori pjesë në një prezantim mbi draft-kornizën e shqyrtimit të investimeve të huaja, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe Oda Amerikane e Tregtisë.
Qeveria e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e cilëson këtë mekanizëm si hap të rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
“Kur presidenti [amerikan, Donald] Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt”, tha VanHorn.
Ajo shtoi se qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo, sipas VanHorn, është e rëndësishme.
Diplomatja amerikane e cilësoi këtë mekanizëm jo si burokraci, por si deklaratë strategjike, pasi tha tregon se Shqipëria është e hapur për biznes në një mënyrë që mbron interesat kombëtare dhe plotëson standardet ndërkombëtare.
“Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por, investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, tha diplomatja amerikane.
Ajo tha se miratimi i një ligji është vetëm fillimi, por zbatimi i tij tregon nëse do të dështojë apo do të ketë sukses. Dhe, për të arritur suksesin, VanHorn tha se SHBA-ja do të mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të zbatimit.
Duke theksuar se këto mekanizma do të mbrojnë investitorët, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Tiranë e bëri të qartë se “kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton”.
Korniza e re e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë është hartuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe komunitetin e biznesit, përfshirë me Odën Amerikane të Tregtisë.
Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane në Shqipëri, theksoi se korniza nuk është krijuar për të kufizuar investimet e huaja, por për të rritur besimin e investitorëve përmes transparencës, parashikueshmërisë dhe procedurave të qarta rregullatore.
Ndërkaq, presidenti i Odës Amerikane në Shqipëri, Grant Van Cleve, e cilësoi miratimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve si kulmin e një përpjekjeje afatgjatë të udhëhequr nga Oda në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo kornizë pasqyron vite bashkëpunimi dhe përkushtimi”, deklaroi Van Cleve. “Ajo përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri, duke siguruar që interesat strategjike kombëtare të mbeten të mbrojtura”.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, tha se ky mekanizëm i ri rrit transparencën, sigurinë juridike dhe besueshmërinë e mjedisit të investimeve, si dhe forcon kapacitetet për të mbrojtur sektorët strategjikë të vendit.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte arritën mbi 1.6 miliard euro.
Oda Amerikane e Tregtisë në Shqipëri mbështet mekanizmin e shqyrtimit të investimeve të huaja, por kërkon që ai të jetë më i qartë, më i parashikueshëm dhe i bazuar në ligj të plotë për të mos krijuar pasiguri për investitorët.
Mekanizmi i ri i kontrollit të investimeve të huaja është përfshirë në Ligjin për investime të huaja, ndërkaq paralelisht Qeveria shqiptare ka njoftuar se Ligji për investime strategjike, që u jep projekteve të caktuara statusin e investitorit strategjik, do të shfuqizohet në përputhje me angazhimet ndaj Bashkimit Evropian.
Njoftimin për shfuqzimin e Ligjit për investime strategjike ditë më parë e bëri kryeministri Rama, i cili tha se ky ligj kishte arritur qëllimin e tij. Shfuqizimi i ligjit është kërkesë edhe e protestuesve kundër projektit turistik në Zvërnec dhe atij në Sazan, projekte që janë lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump.
Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat trevjeçar, por që prej asaj kohe afati i funksionimit të tij është shtyrë gjashtë herë. Ligji ofron lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, e të tjera lehtësira për ata që përfitojnë statusin “investitorë strategjikë”.
Prej katër vjetësh, BE-ja në raportet e progresit për Shqipërinë ka kërkuar rishikimin e këtij ligji. Dy vjet më parë ambasadori i BE në Tiranë u shpreh se ky ligj i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. Ai kishte shprehur shqetësimin se i gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të Shqipërisë.
Në dhjetor të 2024 Qeveria e Shqipërisë i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.
Në lidhje me projektin që Kushner tha se do të investonte në Zvërnec, Rama ka thënë më herët se nuk ka pasur kërkesë për status të investitorit strategjik.
Ditë më parë, kreu i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale tha se për katër vjet kanë punuar në krijimin e një destinacioni të klasti botëror në bregdetin shqiptar “një destinacion me dizajn të menduar mirë, që kujdeset për aspektin mjedisor dhe që ofron mundësi afatgjata ekonomike”.
Ai tha se qëllimi është i thjeshtë, dhe ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimit të diçkaje për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë.
“E ardhmja [e projektit] në fund të fundit përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha Abehsera.
Mijëra njerëz po protestojnë prej 16 ditësh në Tiranë, në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në disa shtete të botës, duke kundërshtuar punimet për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.
Zvërneci gjendet në zonë të mbrojtur që është habitat për flamingot, fokat dhe shumimin e breshkave të detit. Flamingoja është shndërruar në simbol të protestave, me demonstruesit që mbajnë në duar zogjtë rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

