Serbia ka vazhduar të mos harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke refuzuar edhe këtë herë t’u bashkohet masave kufizuese të Brukselit kundër Bjellorusisë.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, njoftoi se nëntë vende joanëtare kanë vendosur të mbështesin paketën e sanksioneve të miratuar nga BE-ja në fund të korrikut.
Sipas njoftimit, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Moldavia, Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Ukraina janë përafruar me vendimin e Brukselit për vendosjen e masave kufizuese ndaj Bjellorusisë.
Kallas e përshëndeti këtë vendim, duke theksuar se këto shtete kanë harmonizuar politikat e tyre kombëtare me vendimin e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Serbia mbeti jashtë kësaj nisme, duke vazhduar praktikën e saj të mosmbështetjes së sanksioneve të BE-së ndaj Bjellorusisë.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur Brukseli vazhdon të kërkojë nga vendet kandidate për anëtarësim që ta harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së, ndërsa Serbia vazhdon të ndjekë një qasje të pavarur në raport me çështjet që lidhen me sanksionet ndërkombëtare./Telegrafi.

