Sot dhe nesër është afati i parë për aplikim për studime të vitit të parë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në 23 fakultete në universitetin më të vjetër dhe më të madh në vend gjithsej ka 8.851 vende të lira për studentët e vitit të parë në vitin akademik 2026/2027 i cili do të fillojë më 1 tetor.
Sipas Konkursit të USHKM-së, nga numri i përgjithshëm i vendeve të lira, 4.395 janë për studentë për kuotën shtetërore (studentë të rregullt që financohen nga buxheti i shtetit), 3.621 për studentë të rregullt që paguajnë tarifa shkollimi, pra bashkëfinancojnë studimet e tyre dhe 835 për studentë të çrregullt.
Numër më i madh të studentëve (mbi 500) në programe të ndryshme studimore do të pranohen nga Fakulteti i Mjekësisë (950 vende), FSHKIK (800), FETI dhe makineri nga 600, Fakulteti matematiko- natyror (626), Fakulteti ekonomik 655, Fakulteti i drejtësisë 555, Fakulteti filozofik 635 dhe Fakulteti filologjik 805.
Studentët në kuotën shtetërore regjistrohen duke paguar një tarifë për studimet e tyre, në shumën prej 200 euro kundërvlerë në denarë, studentët në kuotën e bashkëfinancimit dhe të çrregullt paguajnë një tarifë shkollimi prej 400 eurosh.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në intervistën për AIM tha se këtë vit numri i vendeve është ulur me rreth 2.000 në të gjitha universitetet pas një analize të kryer të tregut të punës, i cili tha ajo, është i mbushur me profesione të caktuara dhe ata njerëz janë të papunë. Në të kundërtën, punësimi në profesione të tjera është shumë i lartë, kështu që diku ka mungesë.
“Në bazë të kësaj i ulëm kuotat në të gjitha universitetet, në mënyrë përkatëse dhe në përqindje, duke pasur parasysh se tregu i punës është i mbushur me disa profile dhe këta njerëz janë të papunë. Ndërsa, nga ana tjetër, punësimet në profilet e tjera janë shumë të larta dhe në disa raste paraqitet edhe mungesë. Pavarësisht uljes së kuotave edhe vitin e kaluar, dhe unë pres që edhe këtë vit të ketë vende të paplotësuara, sepse universitetet, përkatësisht fakultetet, i shpallin kuotat sipas akreditimit që kanë marrë dhe këto janë shifra të larta, ndërsa në disa fakultete një pjesë e tyre vërtet mbeten gjithmonë të paplotësuara. Këtë vit në të gjitha universitetet kemi ulur rreth 2.000 vende, por jam thellësisht e bindur se të gjithë studentët do ta gjejnë vendin e tyre aty ku dëshirojnë. Sa u përket profileve, për shembull, më shumë i kemi ulur në profilet e biznes-administrimit, administratës publike, në disa drejtime të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, sepse aty paraqitet një numër më i madh i të papunëve, si dhe në profilet mjekësore. Në të kundërtën, pothuajse të pandryshuara kanë mbetur profilet teknike, informatika, makineria, ndërtimtaria, ku punësueshmëria është në nivel të shkëlqyer dhe arrin diku deri në 98-99 për qind”, deklaroi Janevska.
Pas përfundimit të afatit të parë për aplikimin e kandidatëve për studimet në USHCM (sot dhe nesër), ranglista përfundimtare do të publikohet më 27 gusht, ndërsa regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet më 3 dhe 4 shtator. Afati i dytë për aplikim për regjistrim në USHKM do të jetë më 10 dhe 11 shtator, ndërsa i treti më 23 shtator në fakultetet ku do të ketë vende të lira.
Para se të aplikojë brenda afateve të përcaktuara nga konkursi, çdo kandidat i interesuar duhet të regjistrohet në www.upisi.ukim.mk dhe të plotësojë aplikacionin elektronik nga sistemi iKnow. Numri që kandidati e ka marrë automatikisht nga sistemi elektronik i aplikimit duhet të shënohet edhe në aplikacionin e paraqitur gjatë aplikimit për regjistrim. Aplikimi bëhet në zyrën e pyetjeve studentore të fakultetit të zgjedhur.

