Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, sot ritheksoi kërkesat kryesore të vendit të tij ndaj SHBA-së për rihapjen e Ngushticës kritike të Hormuzit, përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake nga SHBA-ja.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të përplasjeve të shpeshta mes Teheranit dhe Washingtonit që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.
Të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, ku ranë dakord të pezullonin luftimet ndërsa negocionin një përfundim të qëndrueshëm të konfliktit, por kjo marrëveshje u shkatërrua pas një sërë mosmarrëveshjesh lidhur me rrugën ujore.
CNN rikujton se si rifilluan luftimet muajin e kaluar:
1 korrik: Negociatorët amerikanë dhe iranianë udhëtuan në Doha të Katarit për negociata indirekte. Delegacionet shënuan “përparim pozitiv”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.
7 korrik: Irani qëlloi ndaj tri anijeve tregtare në ujërat territoriale të Omanit pranë Ngushticës së Hormuzit, sipas një zyrtari amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së tha se ndërmori sulme ndaj Iranit si “ndëshkim”.
8 korrik: Irani paralajmëroi se do t’i jepte SHBA-së një “përgjigje dërrmuese” ndaj sulmeve amerikane, ndërsa Garda Revolucionare Islamike e vendit (IRGC) tha se kishte ndërmarrë sulme ndaj 85 objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Presidenti amerikan Donald Trump e quajti Iranin “njerëz të këqij, të sëmurë” në samitin e NATO-s në Turqi, duke thënë se memorandumi i mirëkuptimit “kishte marrë fund”. Disa orë më vonë, SHBA-ja ndërmori sulme të tjera ndaj Iranit.
9 korrik: Teherani tha se ushtria amerikane kishte goditur një urë hekurudhore në veri të Iranit. CENTCOM tha se SHBA-ja kishte goditur rreth 90 objektiva ushtarake në një tjetër valë sulmesh. Një zyrtar amerikan i tha CNN-së se të dyja vendet vazhdonin të angazhoheshin në negociata teknike për çështjet bërthamore.
10 korrik: Trump tha se SHBA-ja kishte rënë dakord të vazhdonte bisedimet me Iranin, por gjithashtu se Uashingtoni e kishte njoftuar Teheranin se armëpushimi nuk ishte më në fuqi. Ghalibaf tha se Teherani ishte i përgatitur për “mbrojtje totale” nëse SHBA-ja e shkelte marrëveshjen. Administrata Trump vendosi sanksione të reja ndaj Teheranit.
11 korrik: Ministri i Jashtëm i Iranit akuzoi SHBA-në për shkeljen e një klauzole lidhur me programin bërthamor të Teheranit në marrëveshjen e tyre.
12 korrik: IRGC njoftoi se kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit pasi kishte qëlluar një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që po përpiqej të përdorte një rrugë të paautorizuar për të kaluar nëpër rrugën ujore. Ushtria amerikane ndërmori sulme të tjera ndaj Iranit dhe këmbënguli se ngushtica ishte ende e hapur.
13 korrik: Sulmet amerikane në të gjithë Iranin vazhduan gjatë pasdites, duke vrarë të paktën dy persona, raportuan mediat iraniane. Trump tha se do të rikthente bllokadën ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja kreu sulme të tjera ndaj Iranit gjatë natës.
The post CNN: Ngushtica e Hormuzit ishte vendimtare në dështimin e marrëveshjes së fundit SHBA-Iran appeared first on Gazeta Express.

