Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita fotodokumentare “KFOR and Kosova +25”, e cila sjell para publikut rrëfime vizuale nga vitet e para të pasluftës.
E organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me organizatën Heartstone, ekspozita paraqet fotografi të realizuara gjatë viteve 2000-2001 nga fotografi dokumentar britanik Nick Sidle.
Përmes objektivit të tij dokumentohen jo vetëm aktivitetet e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, por edhe përditshmëria, sfidat dhe shpresat e qytetarëve të Kosovës në periudhën e rindërtimit të vendit.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord Robertson, kishte ndihmuar në sigurimin e qasjes dhe organizimin e ekspozitës në fillim të viteve 2000-2001 si dhe në të gjitha prezantimet gjatë periudhës së 25-vjetorit të KFOR-it në Kosovë.
Ai tha se konflikti në Kosovë mbetet i gdhendur në kujtesën e tij personale dhe politike.
“Çlirimi i Kosovës ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime dhe vizita ime e parë atje pas çlirimit ishte një moment i rëndësishëm uh në të gjithë karrierën time të gjatë politike, dhe Gjenerali Clark, i cili është gjithashtu në linjë sot, mendoj se ishte komandanti oficer në atë kohë kur unë po uh vizitoja. Kjo ekspozitë uh dhe këto fotografi të jashtëzakonshme e histori që janë hulumtuar dhe kuruar me aq mjeshtri, së bashku me të gjithë njerëzit e identifikuar në to, përmbledhin një nga periudhat më të paharrueshme të Evropës qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.
Sipas tij, ekspozita është frymëzuese, edukative dhe historike, duke ofruar mësime të vlefshme për të gjithë vizitorët.
Zëvendësministrja e Kulturës dhe e Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, theksoi se ekspozita fton publikun të reflektojë mbi njërën nga periudhat më përcaktuese të historisë së re të Kosovës.
Ajo shtoi se ekspozita dëshmon se liria dhe paqja janë rezultat i sakrificës së popullit të Kosovës dhe i mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë.
“Është nder i veçantë që sot në prag të shënimit të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës të jemi së bashku për këtë ekspozitë kaq domethënëse, e cila na fton të reflektojmë mbi njërën nga periudhat më përcaktuese të historisë sonë të re.
Shpesh herë kur flasim për historinë dhe për ngjarje të mëdha politike, kemi prirjen t’i shohim kthesat historike përmes shifrave, dokumenteve zyrtare apo vendimeve politike. Mirëpo, historia e vërtetë e një populli ruhet në kujtesën e njerëzve, në përjetimet e tyre, në sfidat që kanë kaluar dhe në shpresën që i ka mbajtur përpara në momentet më të vështira. Ekspozita KFOR and Kosova +25, e cila është vazhdimësi e projektit të nisur në vitin 2024, na ofron pikërisht këtë perspektivë njerëzore. Ajo nuk është vetëm një dokumentim fotografik i një periudhe historike, është një dëshmi e gjallë e fillimit të një kapitulli të ri për Kosovën, e treguar përmes syrit të fotografit Nick Sidle. Fotografitë e realizuara në vitet 2000 dhe 2001 na rikthejnë në një kohë kur vendi ynë po dilte nga plagët e luftës dhe po hidhte hapat e parë drejt rindërtimit, stabilitetit dhe zhvillimit”, u shpreh ajo.
Ndërsa, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, tha se 12 Qershori mbetet një datë historike që shënon kthesë të madhe në jetën e qytetarëve dhe të vendit.
“Pikërisht në këtë ditë, ekspozita na fton që përtej narratives zyrtare të ndalemi te përjetimet e njeriut, te përjetimet e historisë individuale dhe te kujtesa e përbashkët, të cilat na kanë formësuar si shoqëri. Ekspozita ‘KFOR and Kosovo +25’ sjell rrëfimin vizual mbi Kosovën e pasluftës, rrëfim i cili i afrohet historisë përmes dimensionit njerëzor, pra përmes dimensionit human. Fotografitë të realizuara nga Nick Sidle janë dokumentim dhe dëshmi e jetës së përditshme, janë dëshmi e shpresës, janë dëshmi e pasigurisë dhe dëshmi e rimëkëmbjes e një kohe të re në historinë tonë. Ato na kujtojnë se historia jo gjithmonë është ajo që shkruhet në libra. Historia është edhe ajo që përjetohet në qetësi dhe në heshtje. Historia është ajo që përjetohet në kthimin në shtëpi. Historia është ajo që ndërtohet në pritje, në takime të vogla, të cilat mbajnë peshën e madhe të një kohe. Ato na kujtojnë se një pjesë e rëndësishme e kësaj historie është e ngrirë në fotografi, duke ngrirë edhe kohën në to. Për ne si institucion, është njerëzisht e rëndësishme që këto rrëfime të bëhen pjesë e dialogut, që këto rrëfime të ekspozohen”, u shpreh ajo.
Kjo ekspozitë është prezantuar për herë të parë në vitin 2001 dhe e rikthyer tashmë në një version të restauruar dhe të zgjeruar, ekspozita “KFOR and Kosova +25” fton publikun në kujtim, reflektim dhe dialog mbi rëndësinë e paqes, kujtesës kolektive dhe bashkëjetesës./KP

