Selvije Jao, bashkëshortja e të ndjerit Shpat Kasapi, feston sot ditëlindjen, por këtë vit kjo ditë ka një peshë krejt tjetër për të.
Ajo ka ndarë në Instagram një video nga një prej ditëlindjeve të kaluara, kur Shpati ishte pranë saj dhe e surprizonte në ditën e veçantë.
“Sado angazhime të kishe, sado momente të vështira të kishim kaluar, edhe kur jeta na sfidonte aq shumë, ti prapë nuk e harroje këtë ditë. Ti prapë dije si ta bëje ditën time festë”, ka shkruar Selvija.
Më tej, ajo rrëfen se edhe sot ka pritur, në njëfarë mënyre, që dera të hapej dhe Shpati të shfaqej sërish: “E sot, gjithë ditën kam pritur të vish… Të hapet dera e të më thuash: ‘Surprizë, Selvooo… ishte thjesht një shaka e hidhur…’. Po ti nuk erdhe.”
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, pas një ataku kardiak gjatë qëndrimit të tij në Itali, duke lënë pas Selvijen dhe djalin e tyre, Roelin. Që prej humbjes së tij, Selvija ka ndarë herë pas here në rrjetet sociale kujtime dhe dedikime për këngëtarin, duke treguar hapur mallin dhe boshllëkun që ka lënë mungesa e tij.
Edhe këtë herë, një nga pjesët më prekëse të mesazhit të saj ishte rrëfimi për atë që fshihet pas buzëqeshjes: “Sot të gjithë mund të më shohin të fortë. Të rregulluar. Të buzëqeshur. Të ‘prezantueshme’. Por askush nuk e di sa shumë jam duke vdekur përbrenda çdo ditë.”
“Sot është ditëlindja ime, Shpat… Por pa ty, kjo ditë nuk është më si dikur. Më mungon më shumë se çdo fjalë që mund të shkruaj”, përfundoi Selvija.

