Kryeministri Edi Rama deklaroi se hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit i takojnë ekskluzivisht drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH nga çdo pasojë e mundshme është përgjegjësi e shtetit.
Në një mesazh nga Rinasi, Rama kërkoi që çështja të trajtohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti.
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit është detyrë ekskluzive e drejtësisë, kjo nuk ka diskutim. Mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral të mundshëm është detyrë e gjithë shtetit”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ndarja e pushteteve nuk duhet të nënkuptojë ndarje nga përgjegjësia shtetërore, duke e cilësuar Këshillin e Sigurisë si forum për diskutimin e garancive që duhet të mbrojnë institucionet.
“Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Këshilli i Sigurisë, thirrur njëherësh nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, kur drejtuesit apo punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal”, deklaroi Rama./euronews/

