Papa Leoni XIV kërkon mbrojtje më të madhe të jetës njerëzore dhe që inteligjenca artificiale dhe teknologjia të jenë në shërbim të njeriut.
Nën tingujt e kambanave Papa Leoni XIV nisi vizitën katërditore në Francë. Kreu i Kishës Katolike u prit me nderime ushtarake nga presidenti Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.
Në fjalimin e mbajtur më pas Papa e vlerësoi Francën si vendin e të drejtave të njeriut, por shprehu edhe kritika. Leoni bëri thirrje për mbrojtje më të madhe të jetës njerëzore. Sipas tij e drejta për jetën është themeli i të gjitha të drejtave të tjera të njeriut.
Me këtë deklaratë Papa preku një çështje për të cilën politika po debaton në Francë. Gjatë verës Franca lejoi në kushte të caktuara eutanazinë për personat me sëmundje të rënda. Po ashtu Franca është vendi i parë që e ka përfshirë të drejtën e abortitnë Kushtetutën e saj. Papa Leoni e kundërshton si abortin, ashtu edhe eutanazinë.
Paralajmërim për garën e armatimeve dhe rreziqet e inteligjencës artificiale
Papa u ndal edhe te politika bërthamore franceze. Ai u shpreh kundër idesë se armët bërthamore mund të garantojnë sigurinë, duke theksuar se kjo nxit një garë të re armatimesh. Sipas tij paqja nuk arrihet përmes ekuilibrit të forcave, por përmes dialogut dhe drejtësisë. Franca është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që zotëron armë bërthamore.
Gjithashtu Papa Leoni paralajmëroi sërish për rreziqet që sjell inteligjenca artificiale (IA) dhe zhvillimi teknologjik i pakontrolluar. Ai theksoi se shkenca dhe teknologjia duhet të jenë në shërbim të njeriut.
Kurse Macroni kërkoi krijimin e një organizate ndërkombëtare për mbikëqyrjen dhe kontrollin e inteligjencës artificiale. Sipas tij duhet të parandalohet që modelet më të fuqishme të IA-së të mbeten në duart e një numri të vogël personash./DW/
The post Papa në Paris kritikon garën e armatimeve appeared first on Gazeta Express.

