Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se janë ekzekutuar paratë në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9.
Në njoftim shtohet se, vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është si në vijim: Klasat 1 dhe 2 – 60 euro; Klasa 3 – 65 euro; Klasa 4 – 70 euro; Klasa 5 – 80 euro; Klasat 6 dhe 7 – 90 euro; Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.
Njoftimi:
Miratohet Katalogu i Teksteve Shkollore dhe ekzekutohen mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar sot Katalogun e Teksteve Shkollore dhe janë ekzekutuar mjetet në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.
Procesi i aplikimit të prindërve/kujdestarëve ligjorë ka nisur më 27 korrik dhe është zhvilluar përmes platformës eKosova. Çdo aplikim i dorëzuar është verifikuar nga koordinatorët e autorizuar në secilën shkollë. Listat e verifikuara nga shkollat më pas i janë nënshtruar verifikimit përfundimtar nga komisioni përkatës i MASh. Lista përfundimtare e përfituesve i është dorëzuar Ministrisë së Financave për realizimin e transferimit të mjeteve në llogaritë bankare të prindërve.
MASh ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve finale të shitjes së teksteve shkollore. Komisioni për negocim ka përgatitur raportin përfundimtar mbi rezultatet e procesit. Në bazë të këtij raporti dhe në përputhje me autorizimet ligjore MASh ka miratuar Katalogun zyrtar të Teksteve Shkollore, në të cilin përcaktohen çmimet finale të shitjes për secilin tekst. Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore. Katalogu është publikuar online dhe mund ta gjeni në: https://mash.rks-gov.net/…/katalogu-i-teksteve…/ . I njëjti u është shpërndarë DKA-ve, shkollave, shtëpive botuese, librarive dhe Këshillit të Prindërve.
Bazuar në çmimet e përcaktuara në katalog, ministri ka nxjerrë vendimin për vlerën e subvencionimit për secilën klasë. Vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është si në vijim:
Klasat 1 dhe 2 – 60 euro;
Klasa 3 – 65 euro;
Klasa 4 – 70 euro;
Klasa 5 – 80 euro;
Klasat 6 dhe 7 – 90 euro;
Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.
Me miratimin dhe publikimin e katalogut sot, prindërit/kujdestarët ligjorë mund të blejnë tekstet shkollore.
MASh u bën thirrje prindërve që gjatë blerjes të sigurohen se tekstet shkollore po blihen me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar të MASh, i cili është i qasshëm online në webfaqen e Ministrisë.
Ju njoftojmë gjithashtu se nga sot, e deri në nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati i Arsimit nisë monitorimin intensiv dhe të vazhdueshëm të pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara në katalog. Monitorimi do të kryhet në të gjitha njësitë e shitjes në mënyrë të vazhdueshme. Kurse pas fillimit të vitit shkollor, Inspektorati i Arsimit do të nisë verifikimet në shkolla, me qëllim konstatimin nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Prindërit që evidentojnë mospërputhje ndërmjet çmimit të përcaktuar në katalog dhe çmimit të shitjes ftohen ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të telefonit të MASh:
Tel: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005
Njoftim tjetër me rëndësi është se sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe që do të regjistrohen në afatin e dytë.
Po ashtu, sistemi mbetet i hapur edhe për prindërit/kujdestarët ligjorë të nxënësve të niveleve të tjera që, për arsye të ndryshme, ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet e përkushtuar për zbatimin transparent dhe të rregullt të procesit të subvencionimit, në funksion të lehtësimit të barrës financiare për familjet dhe sigurimit të kushteve të nevojshme për nxënësit në fillim të vitit të ri shkollor. Falënderojmë të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë për mirëkuptim dhe për bashkëpunim.
The post Nga 60 deri në 100 euro – Ekzekutohen paratë për tekstet shkollore appeared first on Gazeta Express.

