Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë thirrje që qytetarët, zyrtarët dhe përfaqësuesit e komunave t’i bashkohen protestës që do të mbahet më 1 shtator, në orën 11:00, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Musmurati ka thënë se protesta nuk organizohet vetëm për shkak të bllokimit të Kuvendit, por edhe si reagim ndaj asaj që ajo e konsideron përpjekje të vazhdueshme të nivelit qendror për të marrë kompetenca nga komunat.
Ajo e ka lidhur këtë çështje me qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke përmendur si shembull Rregulloren 07/2025 dhe procedurat e vlerësimit gjatë rekrutimit të punonjësve në komuna.
Sipas Musmuratit, 60 për qind e vlerësimit në procesin e punësimit në nivel lokal bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Paramendojeni, 60% e vlerësimit për me u punësu në komunë bëhet veç prej Ministrisë së Xhelal Sveçlës. Kjo nuk ka ndodhë kurrë më herët”, ka deklaruar ajo.
Nënkryetarja e Prishtinës ka kritikuar edhe mënyrën e hartimit të testeve për kandidatët, duke përmendur si shembull pyetjen “Sa këmbë i ka bleta?”.
Sipas saj, komunat janë institucionet që i njohin më mirë nevojat e tyre dhe profilet e punonjësve që u nevojiten, ndaj vendimmarrja në proceset e punësimit nuk duhet të zhvendoset drejt nivelit qendror.
“Komuna e din çfarë punëtori i duhet, po Ministria e Brendshme vendos se kush duhet të punësohet. Kjo s’është veç burokraci. Kjo është tendencë me centralizu gjithçka”, ka thënë Musmurati.
Ajo u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave, asambleistëve, zyrtarëve, punonjësve komunalë dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 1 shtatorit.
“S’ka lidhje a je kryetar, asambleist, zyrtar, punëtor i komunës apo qytetar. Më 1 shtator, ju ftoj me dalë në protestën e komunave para Qeverisë”, është shprehur ajo.
Musmurati ka thënë se protesta synon mbrojtjen e institucioneve lokale dhe kompetencave të tyre nga, siç pretendon ajo, tendencat për centralizimin e pushtetit.
“Dalim në protestë për komunat tona, për institucionet tona dhe kundër një pushteti që po tenton me i marrë krejt kompetencat në një dorë”, ka përfunduar Musmurati.
The post Musmurati: Protesta e 1 shtatorit kundër centralizimit të kompetencave të komunave appeared first on Gazeta Express.

