Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja nga Durrësi, ka ndërruar jetë ditën e sotme, pasi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda të marra nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.
E reja kishte pësuar djegie në rreth 85% të trupit. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo u transferua në Turqi për të marrë mjekim të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e saj vijoi të ishte kritike, shkruan Euronewsal.
Ana jetonte me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës. Ndarja e saj nga jeta ka rënduar edhe më tej dhimbjen e familjarëve, pas tragjedisë që fillimisht i mori shëndetin dhe tashmë edhe jetën.
Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit dhe si pasojë mbetën të plagosur gjashtë persona. Disa prej tyre u detyruan të largoheshin nga godina përmes ballkoneve, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.
The post Vdes 25-vjeçarja që pësoi djegie të rënda nga zjarri në hotelin në Vlorë appeared first on Gazeta Express.

